Site icon Telegrafi

Pagat e praktikantëve në Gjermani për herë të parë kalojnë vlerën e 1,000 eurove

Vitin e kaluar, praktikantët për herë të parë fituan mesatarisht paga katërshifrore në muaj. Megjithatë, ka dallime të mëdha në të ardhurat midis profesioneve.

Mobilizimi i përbashkët i shtetit dhe i sipërmarrjeve në Gjermani për të trajnuar dhe aftësuar teknikisht punonjësit është një nga elementët e suksesit të ekonomisë gjermane. “Kualifikimi dual” është një model gjerman, të cilin e kanë kopjuar e përshtatur disa vende evropiane. Në kuadër të këtij sistemi të dyfishtë trajnimi, praktika apo stazhi i të rinjve në një sipërmarrje kryhet krahas arsimit profesional edhe në një shkollë profesionale.

Të rinjve në moshat tipike të arsimit 15-24 vjeç, që vendosin të punojnë, ndërmarrja u financon studimin paralel në një shkollë profesionale. Kjo është pjesë e përgjegjësisë sociale të bizneseve, të cilën shteti gjerman e nxit dhe e bashkëfinancon.

Atraktiviteti i këtij modeli bazohet në faktin se ndërmarrjet që i trajnojnë të rinjtë u garantojnë atyre në fund një vend pune të përhershëm. Të rinjtë gjithashtu paguhen nga biznesi për praktikën që bëjnë te ajo.

Instituti Federal i Formimit Profesional (BIBB) ka bërë të ditur se të ardhurat e praktikantëve u rritën ndjeshëm vitin e kaluar. Mesatarisht, për herë të parë praktikantët në ndërmarrjet e kontraktuara fituan më shumë se 1,000 euro gjatë gjithë viteve të trajnimit. Në përgjithësi, kompensimi u rrit me 4.2 për qind, krahasuar me 2.5 për qind një vit më parë. Në perëndim, të ardhurat mesatare ishin 1,029 euro, në lindje 1012 euro.

Dallimet ishin më pak të theksuara sipas vendndodhjes. Pagat e praktikantëve janë më të lartat në Baden-Württemberg janë 1,077 euro në muaj dhe më të ulëtat në Schleswig-Holstein janë 1,003 euro.

Kjo nuk shpjegohet vetëm nga marrëveshjet kolektive rajonale, por edhe nga shpërndarja sipas sektorëve: në Baden-Württemberg, praktikantët janë veçanërisht të shumtë në industri dhe tregti, ku pagat janë më të larta, ndërsa në Schleswig-Holstein, ata punojnë në artizanat, të paguar më pak.

Bojaxhinjtë dhe bukëpjekësit ende paguhen keq

Pagat ndryshojnë shumë sipas profesioneve. Praktikantët fitojnë më shumë në profesionin e marangozit me 1,254 euro në muaj.

Muratorët, ndërtuesit e tubacioneve dhe punonjësit tregtarë në sektorin bankar dhe të sigurimeve morën gjithashtu paga mbi mesataren.

Nga ana tjetër, praktikantët që dëshirojnë të bëhen bojaxhinj, bukëpjekës, oxhakpastrues apo frizerët paguhen relativisht pak. Kompensimi i tyre ka qenë prej 850 euro e më pak. Profesioni i këpucarit ortoped ishte në fund të paketës. 652 euro kanë fituar praktikantët në këtë profesion.

Interesa të ndryshuara

Të rinjtë e interesuar për kualifikimin dual në Gjermani zgjedhin vitet e fundit më shumë sektorë të industrisë së shërbimeve dhe më pak industrinë, tregtinë dhe artizanatin. Në vitin 2022, 33 për qind deri 50 për qind e vendeve të kualifikimit që mbetën bosh ishin në industri, të pasuar nga hoteleria me 67 për qind si dhe transporti dhe logjistika me 54 për qind. Vetëm në rastin e shërbimeve të orientuara nga biznesi, shifra e vendeve bosh ishte më e vogël me 26 për qind. Në degë me rëndësi vitale për ekonominë gjermane, si në industrinë e automobilave, në ndërtimin e makinerive dhe në tregti po thellohet shndërrimi strukturor.

Veçanërisht të preferuara për praktika nga të rinjtë janë tregtia me pakicë, zyrat dhe sektori automobilistik. Interes i madh ishte për praktika për t’u bërë punonjës tregtar në menaxhimin e zyrës, shitës si dhe inxhinierë mekatronikë të automjeteve dhe asistent-mjek. Rritje të numrit të praktikantëve në vitin 2022 pati edhe në profesionet e TI-së si informatikë e specializuar. Ky profesion pati një rritje prej 5 për qind të numrit të praktikantëve, madje tregtia online (e-Commerce) panë një rritje prej 26 për qind. Numri i praktikantëve në sistemin e gastronomisë u rrit me 18 për qind.

Mungesa e praktikantëve i vë shumë sipërmarrje para problemeve: atyre u është dashur të shkurtojnë oraret e hapjes, të refuzojnë porositë dhe të zhvendosin jashtë ndërmarrjes shërbimet.

Për ta kompensuar këtë, shumë sipërmarrje po thellojnë digjitalizimin. Shteti ka ofruar gjithashtu ndihmë.

Në janar të këtij viti, ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil shpalli miratimin së shpejti të një ligji të ri për formimin e vazhduar. Në kuadër të tij do të ofrohet një garanci praktike e trajnimi për të rinjtë. Për praktikantët do të mbulohen shpenzimet e udhëtimit për në familje.

Shteti gjerman do t’u paguajë edhe udhëtimet për në vendin e praktikës, atyre që kanë përfunduar shkollat.

“Nëse dikush nuk mund të gjejë një praktikë në zonën veriore të Ruhrit, për shembull, por ekziston mundësia e një kursi orientimi profesional në Këln, ne e mbështesim atë duke marrë përsipër kostot e strehimit dhe lëvizjes”, tha Heil.

Ka ndryshuar edhe niveli i aplikuesve për të kryer praktika. Kualifikimin dual ose profesional po vendosin ta ndjekin gjithnjë e më shumë maturantë. Brenda 10 viteve të fundit ky numër është rritur nga 35 për qind në 47.4 për qind. Kjo i vështirëson shanset për të siguruar një vend praktike për të rinj që nuk kanë përfunduar shkollën. /Deutsche Welle/

Exit mobile version