Pacolli: Ndaluni dhe mendoni, mos u tallni me miqtë ndërkombëtarë

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, i ka bërë thirrje klasës politike kosovare që të ketë kujdes në raportet me Evropën dhe SHBA-në.
Pacolli, përme një postimi në Facebook, ka thënë se është shumë e qartë kërkesa e SHBA-ve dhe e Bashkimit Europian, hiqni taksën! Kuptojeni pozicionin e SHBA-ve si ndërmjetës midis dy palëve, i cili duhet të jetë i besueshëm për të dy palët!
"Koha për veprim është tani! Kush është patriot, kush e do Kosovën, në institucione apo dhe jashtë tyre, brenda territorit apo në diasporë, duhet ta kuptojë se koha për të vepruar është tani! Nuk duhet të lejojmë që të kalohet në veprime ndëshkuese për Kosovën! Kjo do të ishte hedhje në erë e veprës së dëshmorëve dhe heronjëve të kombit në shekuj; shkatrrrim i gjithçkaje që kemi arritur në 21 vjet liri dhe 12 vjet pavarësi!", ka shkruar Pacolli.
Postimi i plotë i Pacollit:"Kur bubrreci po ecte në gurin e mullirit i cili rrotullohej për shkak të forcës shtytëse të ujit, bubrreci mendonte që ishte forca e tij që po e levizte atë. Kështu, ai e rriti vetëbesimin si i fuqishëm, por ne fakt, ishte vetëm një bubrrec. Lidershipi i Kosovës po vepron njejtë! Mos veproni sikurse bubrreci sepse nuk rrezikoni vetëm fatin tuaj politik, por fatin e krejt Kosovës! Ndjesinë e bubrrecit e kanë patur shpesh vendet afër nesh por kanë kaluar keq.
Reagimi i Pacollit vjen pasi Senatori amerikan, David Perdue ka paralajmëruar mundësinë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të rishqyrtojnë praninë e tyre në Kosovë, në rast se kjo e fundit nuk e heq tarifën prej 100 për qind ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Paralajmërimet e senatorit Perdue janë mbështetur edhe nga i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë – Serbi, ambasadori Richard Grenell.
Duke komentuar zhvillimet politike në Kosovë dhe mungesën e një vendimi nga Qeveria e Kosovës për heqjen e tarifës, senatori amerikan David Perdue, përmes një shkrimi në Twitter ka thënë se në rast që Kosova nuk i shfuqizon detyrat ndaj Serbisë dhe nuk është e përkushtuar për paqen, atëherë SHBA-ja duhet të rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë.
Edhe djali i presidentit amerikan, Donald Trump Junior, ka reaguar ndaj paralajmërimit të Senatorit amerikan, David Perdue, duke shkruar në Twitter se janë rreth 650 trupa amerikane në Kosovë, që duhet të kthehen në shtëpi. /Telegrafi/


















































