Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit të saj në Emiratet e Bashkuara Arabe, është takuar me gra lidere, me nikoqire Lartmadhërinë e Saj, Sheikha Latifa bint Mohammed bin Rashid Al Maktoum, Kryetare e Autoritetit të Kulturës dhe Arteve.

Në një postim, Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e këtij takimi dhe potencialin për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.


“Një pasdite në shoqërinë e grave lidere, me nikoqire Lartmadhërinë e Saj, Sheikha Latifa bint Mohammed bin Rashid Al Maktoum, Kryetare e Autoritetit të Kulturës dhe Arteve", ka shkruar Osmani.

Ajo ka vënë në pah se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe shkojnë përtej miqësisë tradicionale. “Kosova dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë më shumë sesa miqësi: kanë hapësirë për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi edhe në kulturë, krijimtari, art dhe inovacion”, ka theksuar Presidentja.

Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, veçanërisht në fushat e kulturës, artit dhe inovacionit, me fokus të veçantë në rolin e grave lidere në këto procese. /Telegrafi/