Osmani: Kërkesa e Listës serbe për pezullimin e Kuvendit ishte e panevojshme dhe dëmton interesat e qytetarëve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj kërkesës së Listës Serbe drejtuar Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e punës së Kuvendit, duke e cilësuar atë si një veprim të panevojshëm që vetëm sa shkakton vonesa të mëtejshme në formimin e institucioneve.
Në një deklaratë për media Osmani tha se këto vonesa po i shkaktojnë dëm jo vetëm shtetit të Kosovës, por edhe të gjithë qytetarëve pa dallim, përfshirë edhe komunitetin serb.
“... ka pasur vonesa të jashtëzakonshme në krijimin e institucioneve dhe besoj që kjo është edhe një tentim tjetër për vonesa, të cilat, siç e dini, e kanë vonuar interesin e Kosovës. Janë bërë shumë muaj pa qeveri e cila do të kishte mandat të plotë kushtetues", tha Osmani.
Ajo theksoi se pas konstituimit të Kuvendit në përputhje me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, është jetike që të formohet sa më parë një qeveri funksionale.
“Krijimi i qeverisë varet krejtësisht nga koalicionet mes partive politike, unë aty si presidente nuk mund të ndërhyj. Vonesa e krijuar që po tentohet të krijohet nga Lista Serbe i dëmton interesat jo vetëm të Kosovës si shtet, por të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe serbët”, tha presidentja, Osmani. /Telegrafi/

















































