Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar partitë parlamentare në një takim të përbashkët konsultativ pas dështimit të formimit të qeverisë ku do të diskutohet për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Sipas burimeve të Telegrafit, takimi është thirrur për nesër në orën 10:30.


Në ftesën që u është dërguar partive thuhet: “Ftoheni në një takim të përbashkët konsultativ për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme”.

Ky zhvillim vjen pas seancës së sotme në Kuvend, ku i mandatuari i LVV-së për formimin e Qeverisë, Glauk Konjufca, nuk arriti t’i sigurojë votat e nevojshme për të marrë postin e kryeministrit.

Kjo ishte përpjekja e dytë e Vetëvendosjes për të formuar Qeverinë, pas dështimit të mandatarit të parë, Albin Kurti, më 26 tetor.

Sipas Kushtetutës, nëse Qeverinë nuk arrin ta formojë as mandatari i dytë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duhet t’i shpallë zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e shpalljes.

Kosova ndodhet në krizë që prej zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, ku Vetëvendosje fitoi shumicën e votave, por jo mjaftueshëm për të formuar Qeverinë vetëm.

Kuvendi vonoi të konstituohej për rreth gjashtë muaj për shkak të mosmarrëveshjeve politike, ndërsa procesi u sfidua disa herë në Gjykatën Kushtetuese. /Telegrafi/