Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, priti sot ambasadorin e Republikës së Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, ku diskutuan për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe vazhdimin e mbështetjes së Italisë për Kosovën.

“Krasniqi e falënderoi ambasadorin Orlando për ndihmën e Italisë ndaj Kosovës që nga përfundimi i luftës, duke veçuar mbështetjen në ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Ministri e njoftoi ambasadorin për projektet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, dhe për Ligjin për Investime Strategjike që krijon shumë lehtësira për investitorët potencial që do të investojnë në Kosovë”, thuhet në njoftimin për media.


MTI 1 scaled

Po ashtu në takim u diskutua edhe mundësia e rritjes së shkëmbimeve tregtare Kosovë-Itali, sidomos në produktet bujqësore.

Ndërsa ambasadori Orlando tha se pret nga Qeveria të punojë shumë në rritjen e transparencës, forcimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit.

Ai po ashtu theksoi se Italia do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën, duke konfirmuar interesimin për shkëmbime tregtare dhe investime në mes të Kosovës dhe Italisë. /Telegrafi/