Atmosferë retro, motorë që rrëfejnë histori dhe qindra vizitorë të mrekulluar, Oldtimer Show është zhvilluar sot në Albi Mall, një nga ngjarjet më të dashura të verës që për të tretin vit me radhë sjell elegancën dhe nostalgjinë e veturave klasike në zemër të kryeqytetit.

Albi Mall-it u shndërrua sot në një hapësirë ekspozuese të hapur ku koleksionistë nga i gjithë vendi shfaqën veturat e tyre të rralla dhe të ruajtura me përkushtim.


Modele ikonike nga dekada të ndryshme të shekullit XX morën vëmendjen e të gjithë brezave, nga fëmijët te adhuruesit e automobilizmit.

Ngjarja u shoqërua me muzikë live, argëtim për të gjitha moshat dhe pije të ftohta falas, duke krijuar një atmosferë relaksuese dhe festive.

Një nga momentet kulmore të ditës ishte loja shpërblyese, ku shumë vizitorë fatlumë fituan dhurata të veçanta.

Për shumë pjesëmarrës, kjo nuk ishte thjesht një ekspozitë, por një rikthim emocional në kohë dhe një rast unik për të ndarë pasionin për veturat klasike.

Organizatorët shprehën kënaqësinë për pjesëmarrjen dhe interesimin e madh, duke premtuar që Oldtimer Show do të vazhdojë të sjellë emocione edhe në vitet e ardhshme, derisa sipas tyre një event i ngjashëm do të mbahet së shpejti edhe në Albi Mall Gjilan./Telegrafi/