Portieri italian Michele Di Gregorio u bashkua me Juventusin verën e kaluar nga Monza, fillimisht në huazim për 4.5 milionë euro, me detyrim blerjeje prej 14.3 milionë eurosh.

Në një sezon të trazuar për “Zonjën e Vjetër”, ai u shndërrua në një nga pikat më të qëndrueshme të ekipit.


Falë paraqitjeve të shkëlqyera, 27-vjeçari ka arritur një kulm të ri në vlerën e tij të tregut dhe ka tërhequr interesin e disa klubeve të mëdha evropiane.

Sipas mediave italiane, disa skuadra të Ligës Premier, përfshirë Manchester Cityn, po monitorojnë situatën e Di Gregorios dhe po shqyrtojnë një ofertë të mundshme për të.

Megjithatë, ka dy pengesa kryesore, dëshira e vetë portierit për të qëndruar te Juventusi dhe qëndrimi i vendosur i klubit për ta mbajtur atë në Torino.

Juventusi e sheh Di Gregorion si pjesë kyçe të projektit të ardhshëm dhe nuk ka ndërmend të negociojë për shitjen e tij këtë verë.

Statistikat e sezonit janë mbresëlënëse: ai ka luajtur 43 ndeshje, ka pranuar 41 gola dhe ka mbajtur portën e paprekur në 18 prej tyre.

Për momentin, duket se Di Gregorio do të vazhdojë të jetë gardiani i portës së Juventusit, pavarësisht interesit që po vjen nga Anglia. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app