Nxehtësia ekstreme është e ardhmja jonë - qytetet evropiane duhet të përshtaten

Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Tre vjet më parë, në Cyrih, për herë të parë kalova një urë mbi lumin Limat dhe pashë njerëz duke lundruar nëpër të me goma - në rrugën e kthimit nga puna - disa duke mbajtur birra në dorë. Limati është aq i kthjellët, sa të fton jo vetëm të hidhesh në të, por edhe ta pish.
Kanali Së-Martën në Paris nuk më ka zgjuar kurrë ndjenja të tilla - por, duke u djersitur në vapën me 38 gradë, në javën e kaluar, doja të mbyllja sytë, të shtiresha sikur ishte Limati, dhe të bëja një kërcim. Të tjerët nuk ishin aq hezitues; kishte një radhë njerëzish që ngjiteshin në njërën nga urat këmbësore mbi kanal, në pritje të radhës për t’u hedhur, zhytur, bërë salto ose thjesht për të bërë një lëshim barkas në ujë.
Ndërsa kriza klimatike na përplaset gjithnjë e më drejtpërdrejt në fytyrë me efektet e saj shkatërruese, qytetet, gjatë valëve të të nxehtit, janë një lloj pikënisjeje. Nuk është sekret që Parisit i mungojnë hapësirat e gjelbra dhe mbulimi me pemë, duke u renditur në fund të indeksit “Pamja e gjelbër” e MIT-it. Javën e kaluar, sidomos, ndieja një mall të thellë për lëndinat e mëdha të gjelbra të Park-Monsurit - së bashku me burimin e tij publik të ujit me gaz (një nga 17 të tillë në të gjithë qytetin).
Me trotuaret që përvëlojnë dhe djersën që rrjedh, si mund të krijojmë më shumë hapësira të gjelbra dhe rrugë më të durueshme në një qytet me dendësi të lartë, me fond banimi kaq të ndjeshëm ndaj të nxehtit gjithnjë e më intensiv të verës?
Përgjigjja duket të jetë të fusim copa vegjetacioni dhe masa për qetësimin e trafikut - kudo që të jetë e mundur. Një mur i gjelbër pranë stacionit të metrosë Santie; shkurre, pemë, lule dhe bimësi e egër në vend të parkingjeve në Ry dy Syli; vende për këmbësorë në Ry Sharl Moro në distriktin e 13-të, dhe qindra rrugë të tjera si ajo që pritet të vijnë. Është edhe “pylli urban” që po rritet përpara bashkisë së Parisit, i treti i tillë deri tani në kryeqytet, pas 470 pemëve që zëvendësuan një zonë të betonuar dhe përvëluese në Pla dy Katalonji, dhe një ripërdorim të linjave të vjetra hekurudhore në distriktin e 20-të.
Të dielën, kryetarja e bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo, përuroi premtimin e saj të famshëm për ta bërë lumin Sena sërish të notueshëm - për herë të parë pas një shekulli. Mund ta quani një marifet, megjithatë ka parisienë të emocionuar për t’u hedhur në të.
Edhe pse asnjë nga këto ndërhyrje të lokalizuara urbane nuk është zëvendësim për veprim politik në përmasa të mëdha - për të trajtuar krizën klimatike - do të na duhet të përdorim çdo formë përshtatjeje, që kemi në dispozicion, për ta bërë jetën në qytetet tona të durueshme përballë nxehtësisë ekstreme. Qoftë një pellg ku mund të notosh apo një xhep i vogël me hije për të marrë frymë - të gjitha këto ndihmojnë.
Këtu, në Paris, për shembull po rikonfigurojnë një kryqëzim pranë apartamentit tim, i cili gjithashtu përfshin një shesh të vogël. Më parë, gjithçka ishte e shtruar me asfalt të zi që thith nxehtësinë; tani, asfalti i zi është zëvendësuar me gur, i cili reflekton më mirë rrezet e diellit, dhe gjysma e sipërfaqes që ishte e shtruar më parë tani është mbjellë. Përmirësimi vizual është i padiskutueshëm dhe, pas disa vitesh, kur bimët të kenë arritur madhësinë e tyre të plotë, ajo që dikur ishte një ishull i nxehtësisë do shndërrohet në diçka shumë më të freskët dhe më mikpritëse.
Strategjia e Hidalgos nuk ka kaluar pa kritika, por nga brigjet për këmbësorë në Senë deri te përhapja e korsive për biçikleta, kush mund të mohojë se ka qenë e shpejtë dhe me ndikim të madh?
Sipas Luc Bermanit nga “Rrjeti i çiklizmit dhe ecjes në këmbë”, një kolektiv që punon për përmirësimin e infrastrukturës për biçikleta dhe këmbësorë, përqindja e udhëtimeve të kryera me biçikletë në Paris ka kaluar nga dy për qind në dymbëdhjetë për qind gjatë 10 vjetëve të fundit, ndërsa përdorimi i makinave ka rënë nga dymbëdhjetë për qind në katër për qind. “Asnjë qytet tjetër në botë, i këtij madhësie, nuk ka lëvizur kaq shpejt,” thotë Berman. “Është një shembull i asaj çfarë guximi politik mund të arrijë në nivel lokal.”
Menjëherë pas përfundimit të izolimeve për shkak të Kovidit, qyteti vendosi barriera betoni, thuajse kudo, për të krijuar hapësira për biçikleta dhe lejoi restorantet të shtriheshin me tarraca në rrugë. Masat e përkohshme tani janë shndërruar në infrastrukturë të përhershme për biçikleta dhe kërkesë të përhershme për zgjerimin e tarracave të restoranteve.
Por, a do të jetë e mjaftueshme gjithë kjo? Dhoma ime e gjumit - që ka pamje kah oborri i brendshëm i ndërtesës - është plotësisht e mbrojtur nga rrezet direkte të diellit, por në temperaturat përvëluese të javës së kaluar, gjumi ishte gjithsesi një sfidë. E djathta ekstreme e Marine Le Penit po përpiqet të shndërrojë kërkesën për ajër “të detyrueshëm” të kondicionuar, në kauzën e saj kryesore, ndërkohë që, natyrisht, kundërshton trajtimin e shkakut rrënjësor të ngrohjes - përmes të vetmit forum që ka peshë të mjaftueshme për ta bërë këtë: Bashkimit Evropian. Kur bëhet fjalë për shtëpitë e të moshuarve, shkollat, trenat e metrosë dhe rrjetin elektrik të Francës të drejtuar nga energjia bërthamore, partitë e tjera do të gabonin t’ia lënë këtë terren Tubimit Kombëtar - këto hapësira me të vërtetë kanë nevojë për ajër të kondicionuar. Por, në fondin e apartamenteve të Parisit nga shekulli XIX, është e qartë se ai nuk do të vijë për të na shpëtuar në masë.
Kjo është e ardhmja jonë. Për momentin, nxehtësia ekstreme është ende thjesht një javë këtu, një javë atje me net të djersitura dhe pa gjumë, por do të bëhet më keq. Zoologu dhe aktivisti kanadez i klimës, David Suzuki, ka deklaruar së fundmi se “është tepër vonë” për ta zgjidhur krizën. Ne mundemi, dhe duhet, të bëjmë sa më shumë që të mundemi dhe sa më shpejt që të jetë e mundur për të kufizuar çdo të dhjetën e një grade të ngrohjes shtesë, por ne kemi dëmtuar të tashmen dhe të ardhmen tonë në mënyrë të pakthyeshme dhe tashmë pasoja po i ndiejmë. Gjithçka që qytetet mund të bëjnë është të përshtaten. Disa do ta bëjnë më mirë se të tjerët. Nëse kjo ju bën të thoni “uh” - epo, është nxehtësia ajo që flet. /Telegrafi/

















































