Nuk zbardhen rrahjet e shqiptarëve (Video)

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, vetëm pesë raste nga 109 incidente të regjistruara nëpër shkolla, kanë përfunduar me padi penale. Në rastet e tjera, policia nuk ka arritur të gjejë autorët, ose gjithçka ka përfunduar me biseda informative.
Ndaj zvarritjes së procedurave për zbardhjen e incidenteve ka reaguar edhe nga PDSH-ja.
“Si është e mundur deri tani të mos zbardhet asnjë rast të rrahjeve të nxënësve shqiptarë”, u shpreh Bekim Fazliu.
Raste të rënda të rrahjeve që kanë përfunduar edhe me lëndime të rënda trupore kanë mbetur në sirtarët e policisë ose prokurorisë.
Rasti i 18 vjeçarit Jusuf Islami ishte ndër rastet e rralla i zbardhur nga policia ku viktimë janë shqiptarët. Por, edhe pse ishin identifikuar shtatë sulmues, prokuroria nuk kishte ngritur asnjë procedurë gjyqësore kundër tyre.
“Me ndodh shqiptarët t’i rrahin maqedonasit, kapen menjëherë. Shqiptarët kur rrihen, kryerësit nuk kapen asnjëherë. Nuk ka ndodhur rastësisht kjo”, ishte shprehur Naser Iljazi, babi i Riadit të rrahur. “Ky shtet për mua është katastrofë”.
Nga ana tjetër mbeten të lirë dhe të paidentifikuar huliganët të cilët dy herë brenda këtij viti demoluan Shtëpinë e Alfabetit në Manastir. Pjesa më e madhe e rasteve të dhunës ndaj të rinjve shqiptarë janë regjistruar në kryeqytet, ndërsa dominon komuna e Aerodromit si djep i huliganëve të cilët kanë në shënjestër fëmijët shqiptarë. /Alsat-M/Telegrafi/




















































