Site icon Telegrafi

“Nuk kalova mirë te Kosova në nëntor, tani kam një rast me Finlandën” – Agon Sadiku largohet nga Dardanët dhe grumbullohet nga finlandezët

Agon Sadiku është emri i ri që u afrua me shumë bujë nga Përfaqësuesja e Kosovës në ndeshjet e muajit nëntor.

Alain Giresse e kishte ftuar sulmuesin e talentuar për dy ndeshjet ndaj Armenisë dhe Ishujve Faroe dhe në të dyja këto sfida Sadiku e nisi si titullar.

Sadiku kishte kaluar të gjitha grupmoshat te Finlanda dhe u konsiderua si një afrim i madh nga Dardanët, por duket se ai ka qenë vetëm një ‘huazim’ për dy ndeshje.

19-vjeçari ka ndërruar mendje dhe nuk do ta vesh më fanellën e Kosovës, pasi është grumbulluar nga Finlanda në një kamp i cili po mbahet në Danimarkë.

Në këtë kamp Përfaqësuesja A e Finlandës do t’i zhvilloj dy ndeshje, më 9 janar ndaj Suedisë dhe më 13 janar ndaj Estonisë.

E deri te thirrja e Sadikut nga Finlanda ka ardhur pas një gabimi trashanik nga Federata e Futbollit të Kosovës, të cilët nuk i kanë nuk i kanë dërguar shkresat siç duhet në FIFA për t’i ndryshuar kombëtaren sulmuesit të talentuar.

Madje edhe faqja zyrtare e futbollit finlandez ka shkruar për të, derisa trajneri finlandez Markku Kanerva ka folur për sulmuesin e talentuar.

“Sadiku luajti dy ndeshje me Kosovën në nëntor. Por ata nuk e trajtuan siç duhet trajtuar shkresat në FIFA. Agoni ka ende një shans për ta përfaqësuar Finlandën pasi ai në FIFA ende konsiderohet një finlandez”.

“Ne do të kujdesemi për dokumentet dhe në të vërtetë janë dy ndeshje zyrtare ndërkombëtare. Interesante të shohësh Agonin në radhët tona”, ka thënë trajneri i Finlandës, Markku Kanerva.

Sadiku duket se nuk ka kaluar mirë në Kosovë në grumbullimin e muajit nëntor, pasi një gjë të tillë e thotë vetë në intervistë për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Finlandës.

“Do ta shoh si do të jetë ky grumbullim dhe më pas marr vendimin përfundimtar për përfaqësimin e kombëtares. Siç e thashë, ishte pak konfuze dhe nuk kalova mirë atje (në Kosovë). Markk Kanerva kishte një plan vërtetë të mirë për të ardhmen time dhe unë i besoj atij”, ka thënë Agon Sadiku.

Mediat finlandeze kanë shkruar se Kosova ka mundur t’i humbas dy ndeshjet miqësore, ndaj Armenisë dhe Ishujve Faroe nëse kundërshtarët ishin ankuar, pasi Sadiku nuk kishte drejtë loje për Dardanët.

Gjithsesi ky është një lëshim shumë i madh dhe Kosova humb një lojtar me të ardhme të ndritur. /Telegrafi/

Exit mobile version