Nga: Jim Waterson / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Nisi si histori për një pllakë misterioze në një stol parku në Bristol – por, historia e çuditshme e nderimit të gdhendur në pllakë, për një kurorëshkelës të vdekur, tani po ngre pyetje më të gjera në lidhje me të drejtën e autorit dhe se kush i ka meritat për krijimtarinë në botën e artit.
Fotot e pllakës prej bronzi që nderojnë kurorëshkelësin gjoja të vdekur të quajtur Roger, u bënë virale javën e kaluar, pasi u vendos në një stol druri në lagjen luksoze të Kliftonit.
Kush e vendosi pllakën në përkujtim të “burrit, babait, kurorëshkelësit ” – e cila përfshinte fjalinë e shpagimit, “Roxher, e dija” – kjo mbetet e panjohur. Por, teksa vendasit spekuluan se Banksy mund të ketë qenë i përfshirë, një artist tjetër ka bërë me dije se janë viktimë e mashtrimit.
Krijuesi me bazë në Londër, i cili vepron me nofkën “The Misfortuneteller”, ka thënë se e ka krijuar një pllakë pothuajse identike në mars 2020, pasi kaloi nëpër Parkun Qendror të Nju-Jorkut dhe pasi ka parë mbishkrimet në stolat e drurit.
“Pllakat janë të mira, por nuk janë aq të vërteta”, thotë ai. “Doja të bëja pllaka të ndershme përkujtimore. Të hidhura”.
Ai është tallur me një seri të imazheve që paraqesin homazhe të çuditshme për të ndjerin. Disa nga dizajnet u pranuan si të vërteta. Njëra nga ish-të dashurat përkujtohet me një pllakë ku lexohet: “Për Barbarën – e cila ishte e tmerrshme kur ishte i uritur, por përndryshe mjaft e fortë”.
Të tjerat u bënë të famshme pasi u bënë virale, shpeshherë duke u shpërndarë pa autorësi ose duke u postuar nga llogaritë e memeve në Instagram.
Askush nuk e respektoi autorësinë për një “burrë të dashur, baba dhe kurorëshkelës”, edhe pse imazhi u bë i njohur në internet.
Si rezultat, “The Misfortuneteller” tha se ishte i befasuar kur pa modelin dhe formulimin e tij origjinal në Bristol, këtë javë, duke e shtyrë të thotë: “Nuk është e Banksy-t; është e imja”.
Kushdo që e vendosi pllakën në Bristol e kishte përdorur pothuajse të njëjtin frazë, si dizajni origjinal i vitit 2020, megjithëse kishte ndryshuar emrin e kurorëshkelësit të supozuar të vdekur. Dhe, teksa nuk ka asnjë sugjerim se po kërkojnë të përfitojnë nga veprimet e tyre, artisti origjinal tha se ndihet i indinjuar nga shkelja e mundshme e të drejtave të autorit: “Jam i zemëruar me personin që e mori këtë, e kopjoi dhe e vendosi në një stol. Është reflektim se si këto ditë është e vështirë të respektohet prona intelektuale”.
Tha se ka tension midis kënaqësisë për krijimin e veprës që rezonon me publikun dhe mos marrjes së meritave për të.
“Është interesante se si gjërat bëhen virale – nga njëra anë duhet të ndihesh mirë se argëton njerëzit”, tha ai. “Por, nëse një milion njerëz e pëlqejnë postimin tënd, nuk merr asgjë prej tij”.
Duke tërhequr paralele me ditët e para të shkarkimeve të paligjshme të muzikës në internet, artisti tha: “Edhe ndjekësit e mi thonë se duhet të jem i lumtur. Është si Napster-i – interneti është mësuar të marrë gjërat falas dhe ata presin të marrin gjithçka falas e jo ta japin autorësinë për të gjithë. Është supozimi se po gjete diçka zbavitëse dhe e shpërndan, autori duhet të ndjehet mirë”.
“The Misfortuneteller” këmbëngul se nuk dëshiron të ndalojë të tjerët të krijojnë pllaka subversive. Tha se e vlerëson se është medium i fuqishëm dhe efektiv: “Ka artistë të tjerë në orbitën time që kanë tentuar të bëjnë pllaka. Unë kurrë nuk kam thënë se i zotëroj të gjitha pllakat, ashtu siç nuk e kam vetëm unë të drejtën për ngjyra dhe letër. Mendoj se ky rast është ndryshe, sepse është marrë fjalë për fjalë”. /Telegrafi/