LAJMI I FUNDIT:

Nuk duhet të harrojmë!

Nuk duhet të harrojmë!

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, sërish në kujtesë! Kjo për të vetmen arsye, sepse ne nuk dimë të shkruajmë historinë tonë, nuk dimë ta kujtojmë atë, nuk dimë të ndërgjegjësohemi për t’u krenuar me të apo dhe se nuk dimë t’i lëmë të qetë në prehjen e tyre të rinjtë antifashistë që hodhën tej bursat e studimit, u ikën luleve të Evropës, u hipën trenave për të bërë revolucionin, atë të madhin e të kuqin që do t’i hante vetë një e nga një, e për të cilin as nuk e mendonin se 70 vite më vonë do të baltoseshin se i kishin shërbyer atij për pushtet dhe para. Ç’neveri mjerimi!

Ky ishte mendimi që formulova në krye, duke kapërcyer me shpejtësi buletinin ditor të lajmeve në një ditë të 4 shkurtit. U gjet një rast për t’i kujtuar ata, ose më saktë përdhosjes që u është bërë atyre ndër vite pa pushim sikur ky vend e kjo tokë të mos kish ç’të kujtonte më. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kërkoi rivlerësimin e dy çështjeve që lidhen me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, përkatësisht të njohurën si “Masakra e 4 Shkurtit” dhe të përmendores së “5 Heronjve të Vigut” që është shpërngulur nga qendra e Shkodrës.


Në një takim përkujtimor për 70-vjetorin e 4 shkurtit 1944, zoti Meta tha se në Shqipëri është koha që të rivlerësohen shumë figura, përmendore dhe ngjarje të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Deklaratat duken të tingëllojnë një déjà vu, po aq hipokrite sa dhe më parë. Çfarë e bën një qeveri të jetë e ndjeshme ndaj luftës? Ndaj kësaj pjese që do të bënte krenar çdo komb e çdo vend, ndaj të rënëve të saj, ndaj gjakut që po njësoj u derdh në demonstratat antifashiste, si në ato antikomuniste e që po njësoj do të derdhej dhe në protestat për një jetë më të mirë? Çfarë e bën të kthejë kokën nga e kaluara e të shfryjë kundër saj për t’i rënë kundërshtarit të sotëm, të djeshëm e të ardhshëm? Çfarë e bën të godasë eshtrat e tyre të shpuara nga plumbat e armikut të jashtëm e të përbashkët?

Ditë me radhë, përdhosja e emrit të tyre zgjonte mes ëndrrash kujtimet e të afërmve që askurrë se kuptuan se nga vinte kjo murtajë. Me sytë shqyer, nën një tjetër pabesi të radhës, mendimi i dëshpëruar i të parëve për një vend që s’ka kujtesë, ia thellon edhe më atë. Por jo vetëm kaq, refuzimi ndaj çdo respekti qoftë dhe për shpëlarje të borxhit, nuk do i qetësonte shpirtrat e egërsuar nga përtej. Pak e çuditshme dhe e pabesueshme gjithë kjo sedra e lënduar kombëtare e analistëve protestues që nuk zgjoi atëkohë asnjë zë institucioni qeveritar. Do të kishin qenë të besueshëm nëse të njëjtët do të kishin shprehur së paku po aq shqetësim edhe atëherë kur të dyja palët ishin bashkë dhe kur mbi varrezat e tyre lëshohej habitshëm me urrejtje kundërshtari, gjak i shprishur. Edhe atëherë kur streha e fundme e këtyre “të shenjtëve”, kalbej ndër nëntorët vit pas viti, nën zërin pa zë të tyre por jo harrueshëm të Nënës Shqipëri.

A janë ata, ashtu si e thotë kuptimi i fjalës, të cilin shumëkush as që e di, me të vërtetë dëshmuesit e atdheut, ata që e dëshmojnë lirinë e tij? A duhet ende të shpjegojmë pse duhet t’i kujtojmë këta të rinj? Forca ngazëlluese e çdo qeverie që mendon se mbledh elektorat duke fshirë nga historia emra shenjtësh, më ka ngjallur gjithmonë një hipokrizi të neveritshme dhe mërzi mjerimi mes vendit ku jetojmë. Por dëshira për të folur për historinë e vendit tim nuk më ka reshtur asnjëherë, nëpër botë, atje dhe ku Kujtesa është një vlerë identiteti e Ndërgjegjja Historike është një institucion. Në emër të gjakut të tyre u ndërtua një pushtet totalitar që zgjati një gjysmë shekulli. Pas kësaj, pas ndryshimit të sistemit politik, sunduesit e rinj edhe dëshmorët i ndanë në “tanët” dhe “tuajët”, në dëshmorë të demokracisë dhe dëshmorë të një lufte që cilido sot e cilëson ashtu si ia thotë mendja. Të pafat, sepse, në çdo gjë publike, si rrugët, shkollat, stadiumet, spitalet, kinematë, por dhe në varrezat ku prehen ndonjëherë, drithërohen tej territ atje ku prehen në atë tokë të amshuar, se mos lakenjtë e pushteteve që ndërrohen me radhë, u dyshojnë emrin apo identitetin kombëtar. Të pafat, krejt të pafat, sepse ka dy dekada që pretendohet se ishin të gjithë spiunë dhe komunistë, vrasës me pagesë dhe fashistë, ishin apo nuk ishin 28 mijë, të gjithë dëshmorë apo jo, pa marrë gjithsecili pikën e përgjegjësisë fillestare, për të hyrë një ditë në arkivat e shtetit, në depon e madhe të magazinimit të dokumenteve të luftës, pa iu referuar faqeve historike të shteteve pjesëmarrëse në këtë luftë që vendosi paqen mes kombeve. Jo, as nuk bëhet fjalë. Assesi! Nuk ndodh!

Pse? Sepse Ne nuk e duam këtë vend, nuk i duam për më shumë atij Historinë, Kujtesën, Ndërgjegjen. Ndryshe do të kish qenë atëherë Shqipëria. E kështu përgojimi nuk merr fund. Këngët për ta i dëgjoj në metro qytetesh të mëdha, mes kolegësh e ku sa herë emocionohem, thellë vërvitet tej poshtë zemrës, çka ky vend me të vetët? Përse nuk i do? Shtete të tjerë, mburren vetëm për ndihmat që u ka dhënë shteteve pjesëmarrëse në boshtin antifashist e jo më ne, që luftuam krah më të fuqishmëve? Krejt të pafat, sepse ata nuk shihen më as në tekstet shkollore, ky vend rrezikon harresën historike, që është dëmi më i madh që mund t’i shkaktosh një kombi.

Sot trashëgimtarë të ushtrive të atyre vendeve kundër të cilëve ata patën luftuar, duke pasur një kod nderi protokollar si u ka hije shteteve që nuk e ngatërrojnë veten me pushtetin, vijnë sot dhe rindërtojnë memorialët e tyre të rrënuar, sikurse veproi qeveria gjermane me memorialin e Borovës vite më parë e jo më të shkulen nga vendi e të dëbohen si është bërë rëndom nga barbarët e pushteteve. Sa herë kujtesën ma ndezin të tilla deklarata, si ajo e 4 shkurtit për kujtesën e kësaj ngjarjeje apo rikthimin e emrit të atyre 5 të rinjve që u zhuritën nga të vetët në emër të një ideali, më vijnë ndërmend fjalët e Presidentit francez, J. Chirac, në gusht të vitit 2004, gjatë ceremonisë madhështore në 60-vjetorin e çlirimit të Parisit: “Unë, Presidenti i Republikës Franceze, në emër të shtetit, po vendos në shtatin tuaj këtë dekoratë të lartë, në shenjë nderimi që populli francez u kushton luftëtarëve të vet antifashistë”.

Po atdhetarët tanë ku janë? Të jenë të shtirur kaq shumë shqiptarët sa këto vlera dhe referenca nuk u shkojnë ndërmend? Por e gjitha kjo e ka një shpjegim. Sepse ata, ashtu si shumica e shqiptarëve, mendojnë gabimisht se koha e antifashizmit ka vdekur. Ata harrojnë se antifashizmin nuk e themeloi Rusia bolshevike, por e themeluan demokracitë perëndimore. Ata harrojnë se kur qeveria e Madhërisë së Saj dhe Presidenti Roosevelt nënshkruan Atlantic Charter, ish-Bashkimi Sovjetik ende nuk e besonte se do të bëhej luftë e vërtetë me Reich-un nazist.

Ata nuk e dinë se, me përmbysjen e bolshevizmit, ranë ato ideale që kishte frymëzuar krahu lindor i aleancës antifashiste, por jo antifashizmi vetë, që mbetet vlera më e madhe morale e njerëzimit në shekullin e 20. Ata bëjnë sikur e harrojnë se të gjithë ish-presidentët amerikanë dhe kryetarët e shteteve të mëdha, megjithatë, në çdo jubile të 9 majit kremtojnë së bashku pranë pishtarit të “Ushtarit të Panjohur” në Moskë, pishtari i të cilit nuk shuhet kurrë, qoftë dhe për disa sekonda qysh prej ndërtimit të tij. Ata bëjnë sikur nuk e dinë se qortimi i historisë nuk mund të bëhet duke përçmuar ata dëshmorë që janë, por duke shtuar në varrezat e tyre edhe të rënët që kanë qenë rreshtuar në formacione të tjera politike, ballistë, legalistë, nacionalistë tradicionalë që luftuan kryemëvete, sigurisht aq sa ka dhe nëse ka. Shtetet nuk rithemelohen. Shtetet dëshmohen.

Por, si do të dëshmohen shqiptarët si shtet, pasi të kenë kaluar edhe disa vite e dekada indiferencë, nëse puna do të mbetet që të vijë një mision italian dhe të ndërtojë, bie fjala, një bareliev për luftën e Pezës apo një tjetër mision gjerman për luftën e Musqetasë? R. Regan pat thënë në fundin e viteve 1980, kur kërkoi të vinte një tufë me lule në varrezat e të rënëve si nazistë: “Koha ata i zuri në këtë llogore, ata ranë në barrikadën ku u gjendën, dhe ne respektojmë barazinë para vdekjes”.

(Marrë nga: Gazeta Shqip)