NPL “Përparimi” në Vushtrri ka bërë thirrje për qytetarët që të respektojnë orarin e mbledhjes së mbeturinave dhe t’i vendosin ato në kontejnerët e përcaktuar.

Nga kjo ndërmarrje kanë thënë se mbledhja e mbeturinave derë më derë bëhet pesë herë në javë në fshatra, ndërsa në qytet çdo ditë të javës.


Apeli vjen pas disa pamjeve të publikuara nga ndërmarrja, të cilat tregojnë mbeturina të hedhura në hapësira publike në disa qytete të Kosovës.

“Për mos të pasur këtë gjendje me këto pamje, kërkojmë bashkëpunim dhe mirëkuptim nga secili qytetar”, thuhet në njoftimin e “Përparimit”.

Ndërmarrja ka theksuar se temperaturat e larta po e vështirësojnë punën e ekipeve në terren, ndërsa ka falënderuar punëtorët për angazhimin në ofrimin e shërbimeve për qytetarët e Vushtrrisë. /Telegrafi/