LAJMI I FUNDIT:

Njoftimi për rifillimin e negociatave me MCC-në amerikane dhe vlerësimi i rritjes ekonomike prej 10.5 për qind – ngjarjet që karakterizuan javën në Kosovë

Njoftimi për rifillimin e negociatave me MCC-në amerikane dhe vlerësimi i rritjes ekonomike prej 10.5 për qind – ngjarjet që karakterizuan javën në Kosovë

Njoftimi se në muajin maj do të rifillojnë negociatat në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit për projektin e gazsjellësit, vlerësimi se ekonomia e vendit është rritur për 10.5 për qind dhe pohimi i kryeministrit Albin Kurti se janë krijuar 25 mijë vende të reja të punës, ishin ngjarjet kryesore që karakterizuan javën në vend.

Në fillim të muajit maj pritet që të vazhdojnë negociatat në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit për projektin e gazsjellësit, ndërsa synohet që në gusht apo në shtator kjo marrëveshje të shkojë në Kuvend për ratifikim.

Kështu ka bërë të ditur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli gjatë raportimit para anëtarëve të Komisionit për Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, shkruan Telegrafi.


Për këtë projekt, ministrja e Ekonomisë u shpreh se sipas afatit janë zhvilluar tri koncept-dokumente për projektet e dorëzuara më 21 janar të vitit 2022.

“Kur kemi qenë duke biseduar për projektin që lidhet me infrastrukturën përcjellëse të gazsjellësit në vitin e kaluar granti i parapara ka qenë 190 milionë euro, ndërsa aktualisht jemi në negociata për 200 milionë euro për komplet grantin plus një mundësi që 15 për qind e 234 milionë sa është projekti total me bashkëfinancim të Kosovës të shfrytëzohet të merret grant nga DFC-ja për zhvillimin e projekteve të energjisë të ripërtitrishme negociata për këtë do të vazhdojnë në fillim të majit shpresojmë që në qoftë në javën e parë të gushtit para se Kuvendi të shkoj në pushim, qoftë pas pushimit në shtator ta sjellim në Kuvend ta sjellim marrëveshjen për ratifikim”, kishte theksuar Rizvanolli.

Kujtojmë se SHBA-ja kishte propozuar që t’ia ndaj Kosovës rreth 200 milionë euro në kuadër të MCC-së. Në këtë fond, njëri nga projektet është ndërtimi i sektorit energjetik, përkatësisht ndërtimi i infrastrukturës së gazit.

Rizvanolli për grantin 200 milionësh të MCC: Negociatat për gazsjellësin do të vazhdojnë në muajin maj
Lexo po ashtu Rizvanolli për grantin 200 milionësh të MCC: Negociatat për gazsjellësin do të vazhdojnë në muajin maj

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka thënë se rritja ekonomike për vitin 2021 vlerësohet të jetë 10.5 për qind. Ai gjatë një konference për medie, ka theksuar se në këtë rritje ka kontribuar ardhja e mërgatës në vend.

“Ekonomia e Kosovës ka shënuar rikuperime të reja, ku sipas vlerësimeve preliminare të Agjencisë së Statistikave kjo rritje ekonomike është rreth 10.5 për qind. Lëvizja e lirë e qytetarëve, bëri që të ketë rritje të ardhjes së diasporës, por duke mos anashkaluar veprimet e ndërmarra, ka ndikuar që të jetë kjo rritje”, është shprehur Mehmeti.

Sipas tij, brenda kësaj periudhe janë lëshuar 1.8 miliard euro kredi.

“Aktualisht Norma Efektive Joperformuese në sektorin bankar qëndron rreth 2.3 për qind, për derisa norma vjetore e rritjes së kredive qëndron në 15.7 për qind. Gjatë vitit 2021, janë lëshuar 1.8 miliard euro kredi të reja”, ka theksuar ai gjatë prezantimit të raportit të Tranzicionit 2021-2022.

I pari i BQK-së, ka treguar se pandemia COVID-19 e ka gjetur sistemin financiar në nivele të larta të kapitalit dhe likuiditetit.

“Këto dy vitet ishin mjaftë sfiduese, me pasuri të lartë për sektorin financiar dhe për ekonominë e vendit. Situata e pandemisë COVID-19 e gjeti sistemin financiar në nivele të larta të kapitalit dhe likuiditetit. Masat e marra nga BQK-ja janë treguar mjaftë efektive në ruajtjen e stabilitetit financiar. Sektori bankar arriti të ruaj shkallë të lartë të qëndrueshmërisë ndaj ndikimit të krizës”, ka përfunduar ai.

Guvernatori Mehmeti: Rritja ekonomike e Kosovës vlerësohet të jetë 10.5 për qind, u dhanë 1.8 miliard euro kredi
Lexo po ashtu Guvernatori Mehmeti: Rritja ekonomike e Kosovës vlerësohet të jetë 10.5 për qind, u dhanë 1.8 miliard euro kredi

Në adresimin para mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti e ka konsideruar vit të kthesës drejt zhvillimit ekonomik vitin e parë të qeverisjes së tij.

Kurti gjatë takimit me kabinetin e tij, ka thënë se brenda këtij viti janë krijuar 25 mijë vende pune dhe se Prodhimi i Brendshëm Bruto gjatë 2021-së ka shënuar rritje prej 10.53 për qind.

“Sipas Agjencisë së Statistikave, Prodhimi i Brendshëm Bruto real për vitin 2021 ka shënuar rritje prej 10.53 për qind. Për këtë vit eksportet kanë arritur vlerën prej 2 miliardë e 698 milionë euro me një rritje prej 83.6 për qind. Të hyrat doganore janë rritur për 31 për qind. Investimet e Huaja Direkte krahasuar me vitin 2020 janë rritur për 21.8 për qind”, tha Kurti, përcjell Telegrafi.

“Këtë vit kemi miratuar buxhetin prej 2.75 miliardë euro që është 12 për qind më i lart se viti 2021. Janë krijuar 25 mijë vende të reja të punës, prej të cilave 10 mijë janë si rezultat i Pakos së Ringjalljes Ekonomike nga pandemia COVID-19”, ka shtuar ai.

Më 22 mars të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës kishte votuar qeverinë e re, që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.

Kurti për vitin e parë të qeverisjes: Vit i kthesës drejt zhvillimit ekonomik, janë krijuar 25 mijë vende të reja të punës
Lexo po ashtu Kurti për vitin e parë të qeverisjes: Vit i kthesës drejt zhvillimit ekonomik, janë krijuar 25 mijë vende të reja të punës

Për sa i përket lajmeve ndërkombëtare, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) ka thënë se agresioni ushtarak rus në Ukrainë mund të godasë rritjen ekonomike botërore.

OECD paralajmëroi se konflikti mund të rrisë çmimet me rreth 2.5 për qind. Kostot tashmë janë duke u rritur për shkak të kërkesës në rritje ndërsa kufizimet e pandemisë COVID-19 po lehtësohen.

Çmimet e naftës, gazit, metaleve dhe kimikateve thelbësore për prodhimin e plehrave, për shembull, janë rritur ndërsa janë shtuar shqetësimet për furnizimet nga rajoni. /Telegrafi/