Presidenti i UEFA-s Aleksander Ceferin ka thënë sot (e mërkurë) në hapjen e Kongresit të 49-të të mbajtur në Beograd se "futbolli evropian duhet të mbetet një model i unitetit në këtë botë gjithnjë e më të përçarë" dhe se "do të mbetet i bashkuar”, teksa si shembull e ka dhënë organizimin e Kampionatit Evropian 2027 për U-21 nga Shqipëria dhe Serbia.

Kongresi i UEFA-s është organi suprem kontrollues i UEFA-s dhe mbledh së bashku presidentë dhe sekretarë të përgjithshëm që përfaqësojnë secilën prej 55 federatave anëtare për të marrë vendime që ndihmojnë në formësimin e futbollit evropian.


Me presidentin në detyrë të UEFA-s që kryeson procedurat, pjesëmarrësit diskutojnë dhe votojnë mbi vendimet, masat dhe propozimet si nga organi drejtues, ashtu edhe nga federatat, ku pjesëmarrëse është edhe Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) me kryetarin Agim Ademi.

Në hapjen e kongresit, Ceferin ka treguar se futbolli evropian duhet të mbetet model i unitetit dhe i bashkuar në një botë të përçarë.

“Futbolli evropian duhet të vazhdojë të qëndrojë si një model për unitetin në këtë botë gjithnjë e më të ndarë. Dhe të bashkuar do të qëndrojmë”, ka thënë fillimisht Ceferin në nisjen e kongresit.

“Futbolli është më shumë se një sport: ai është një pasqyrë dhe një model i shoqërisë. Ai flet një gjuhë universale që shkon përtej kufijve, bashkon komunitetet dhe frymëzon ëndrrat”.

Pas kësaj, Ceferin dha shembullin e organizimit të Euro 2027 për U-21 nga Shqipëria dhe Serbia.

“Ne e shikojmë një turne si EURO U21, i organizuar bashkërisht nga Shqipëria dhe Serbia, si një shembull i shkëlqyer: për të na kujtuar se nuk ka kufij të vërtetë në futbollin evropian”, përfundoi i pari i UEFA-s. /Telegrafi/

telegrafi sport app