Kryeqyteti austriak mori trenin e parë të automatizuar të metrosë së gjeneratës së re. Gjatë verës do të vihen në funksion edhe trena të tjerë të këtij lloji.

Treni i parë X u vu në shërbim pas testeve të gjera dhe miratimit të suksesshëm në linjën e metrosë U3. Ai ka një dizajn modern të brendshëm dhe informacion inovativ dixhital për pasagjerët, Passenger Info Plus, si dhe një sistem navigimi.


1 46

Në këtë mënyrë, pasagjerët mund të informohen drejtpërdrejt për drejtimin e zbarkimit, transfertat dhe oraret e nisjes së linjave të tjera, transmeton Telegrafi.

Ekziston edhe një hartë dixhitale e të gjithë rrjetit të metrosë, që tregon pozicionin aktual të trenit, drejtimin e udhëtimit, stacionin tjetër, kufizimet e planifikuara të trafikut ose ashensorët jashtë përdorimit.

2 14

Nga viti 2026, falë këtyre trenave, metroja e Vjenës do të funksionojë plotësisht automatikisht në linjën e re të metrosë U5.

Treni i gjeneratës së re të metrosë u prezantua zyrtarisht nga Peter Hanke, anëtar i qeverisjes lokale për transportin publik, përfaqësues të kompanisë së transportit publik të qytetit Wiener Linien dhe kompanisë Siemens Mobility, bartës të këtij projekti.

3 11

"Metroja e gjeneratës së re vendos tendencat për vizionin tonë për një eko-qytet. Një tren teknikisht i avancuar i prodhuar në Vjenë, i cili plotëson të gjitha kërkesat dhe pritshmëritë, e bën udhëtimin me transport publik edhe më tërheqës dhe komod. Trenat X janë pjesë e modernizimit gjithëpërfshirës të flotës Wiener Linien, i cili përfshin autobusë dhe tramvaje të rinj elektrikë”, tha Hanke.

5 8

Treni i ri mund të akomodojë deri në 928 pasagjerë dhe ka hapësirë ​​të mjaftueshme për karroca apo bagazhe. Vendet me cilësi të lartë, duke përfshirë sediljet e palosshme, janë të rregulluara në mënyrë tërthore dhe gjatësore. Vendet e shënuara me ngjyrë të kaltër janë të destinuara për pasagjerë me lëvizshmëri të zvogëluar. /Telegrafi/