Korrupsioni nuk është shpikje moderne dhe nuk është një devijim i rastësishëm i sistemeve politike të sotme apo kuadrit ligjor-rregullativ që krijojnë institucionet. Tekstet më të hershme të Babilonisë, rreth gjashtë mijë vjet më parë, flasin për padrejtësi, abuzim dhe shpërdorim pushteti. Por, fakti që korrupsioni është i lashtë nuk e bën atë të pashmangshëm

Shkruan: Hetem Ramadani


Në mjedisin tonë ballkanik, ky fenomen jo vetëm që vazhdon, por është bërë normalitet, i natyralizuar përmes lajmeve të përditshme mbi hetime ndaj ish-presidentëve, ish-ministrave, kryetarëve lokalë dhe figurave të larta publike. Pyetja nuk është më pse ka korrupsion: pyetja reale është pse ai mbijeton, forcohet, dhe pse shoqëria duket se e ka pranuar si mënyrë të natyrshme të ekzistencës së saj.

Në shkencën moderne, Max Planck na kujtoi se ne studiojmë natyrën, flasim për të dhe mendojmë për të, por ajo mbetet mister dhe se njeriu, vetë studiuesi, është pjesë e këtij misteri. I njëjti parim zbatohet edhe për korrupsionin në shoqëri: ne flasim për të, e denoncojmë, ndërtojmë mekanizma, krijojmë reforma, gjykata, struktura dhe programe, por fenomeni mbetet i pranishëm sepse ata që e analizojnë shpesh janë pjesë e së njëjtës ndërthurje.

Nëse vëzhguesi është i ndotur, vëzhgimi nuk sjell dritë. Nëse vetëdija është e turbullt, zgjidhja nuk lind. Korrupsioni nuk është vetëm shkelje ligjore - është pasqyrim i një vetëdijeje të papërpunuar, e ndikuar nga frika, interesi, kultura, modeli shoqëror dhe kushtëzimet e trashëguara. Ndaj, pyetjet që bëjmë në nivelin racional nuk mjaftojnë. Duhet të lindin pyetje në një nivel më të pastër, ku vetëdija nuk është e deformuar nga interesi.

Kur pyetja lind nga vetëdija e qartë, fenomeni fillon të ndryshojë. Kur vëzhguesi pastrohet, e vëzhguara ndriçohet. Transformimi i korrupsionit nuk fillon me ndëshkim, por me ndërgjegjësim - sepse shoqëria shërohet vetëm kur shërohet vetëdija që e ndërton atë.

“Korrupsioni nuk jeton në institucione, por në hijen e vetëdijes së pashqyrtuar. Kur njeriu ndriçohet, sistemi ndriçohet.” - Hetem Ramadani

“Atë që ligji s’e shëron, e shëron vetëdija; dhe kur zemra bëhet transparente, asgjë e errët nuk gjen vend.” - Hetem Ramadani

“Shoqëria ndryshon jo kur dënon të korruptuarin, por kur zgjohet nga gjumi i brendshëm ku korrupsioni merr frymë.” - Hetem Ramadani

Trashëgimia e traumës – si faktor ndikues

Qasja moderne ndaj traumës na dëshmon se përvojat kolektive mund të ndikojnë në sjelljet shoqërore. Epigjenetika tregon se streset e gjata historike mund të lënë gjurmë në mënyrën se si aktivizohen gjenet. Ballkani ka kaluar pushtime, shtypje kulturore, mungesë lirie, varfëri dhe rënie institucionale të herëpashershme. Këto kanë prodhuar një kujtesë kolektive të pasigurisë dhe mosbesimit.

Por kjo shpjegon vetëm sfondin - jo fajin. Korrupsioni i sotëm nuk ushqehet nga gjenet, por nga: kapja e shtetit, drejtësia e komanduar, partitë që funksionojnë si sipërmarrje private, pasuria publike e përvetësuar nga një grusht njerëzish, mediat e varura nga pushteti. Pra, thelbësisht, trauma shpjegon klimën, por nuk justifikon kriminalitetin politik.

Shoqëria jonë si trup i inflamuar

Metafora e trupit të inflamuar e shpjegon më mirë gjendjen shoqërore. Në biologji, kur një trup përballet me stres të vazhdueshëm, inflamacioni bëhet kronik. Në këtë gjendje, organizmi nuk funksionon normalisht - ai shpenzon deri në 50% të energjisë vetëm për t’u mbrojtur, jo për t’u zhvilluar. E njëjta gjë ndodh në shoqëri: Energjia kolektive nuk shkon në kreativitet, inovacion, arsim, kulturë, bashkëpunim, zhvillim. Ajo harxhohet në mbijetesë, frikë, pasiguri, dhe reagime ndaj krizave të përhershme.

Kjo gjendje prodhon: lodhje kolektive, humbje të shpresës, rënie të vetëbesimit, varfëri afatgjatë, manipulim të lehtë të popullsisë.

Një popull i lodhur nuk reziston, nuk kërkon transformim dhe nuk shemb strukturat që e shtypin. Dhe pikërisht për këtë arsye, lodhja nuk është pasojë - është mjet pushteti. Ata që e shkaktuan inflamacionin e shoqërisë, e përdorin atë për ta sunduar më lehtë.

“Shoqëria e lodhur është trup i inflamuar. Lideri i së ardhmes nuk krijon inflamacion, nuk krijon zjarr; ai krijon ekuilibër, qetësi dhe energji për pyetje kuantike." - Hetem Ramadani”

Liderët si mekanizëm i sëmundjes, jo si pasojë e saj

Kur një trup është i shëndetshëm, qelizat punojnë për organizmin e tërë. Kur ato bëhen kancerogjene, rriten, konsumojnë dhe nuk shërbejnë. Kështu veprojnë liderët që shfrytëzojnë shoqërinë. Por ky krahasim shkon edhe më thellë: në hapësirën tonë ballkanike, këta liderë nuk lindin rastësisht, ata prodhohen nga një sistem i qëllimshëm ku: drejtësia emërohet nga politika, prokuroria frikësohet në misionin e saj për të hetuar, drejtësia në gjykata negociohen, tenderët jepen vetëm për klientët, - pasuria publike zhduket në duar private, dhe kështu me radhë. Kjo nuk është metaforë biologjike - kjo është arkitekturë pushteti.

“Lideri që humb egon, bashkohet me popullin dhe bëhet molekula e re e së ardhmes.” Si hidrogjeni e oksigjeni që humbin identitetet për të krijuar ujë, lideri i vërtetë humb veten për t’u bërë jetë për të tjerët. Ky është transformimi kuantik." - Hetem Ramadani

Paradigma e rreme e dritës në fund të tunelit

Për dekada me radhë, njerëzve u është thënë të durojnë, të presin, të shpresojnë. Kjo retorikë ka prodhuar gjenerata të tëra që e kanë lidhur shpresën me vuajtjen. Por kjo nuk është thënie e pafajshme — është psikologji e nënshtrimit. E vërteta është: populli nuk është në tunel; errësira nuk është e natyrshme; drita nuk mungon, por ajo pengohet.

Paradigma e re nuk është të presim fundin e tunelit, por ta kuptojmë se tuneli është ndërtuar për të na mbajtur aty.

“Lideri i së ardhmes nuk pyet si të dalë nga tuneli; ai pyet si të bëhet dritë para tunelit. Pyetja e tij nuk lind nga frika e mendjes, por nga fusha e unifikuar e ndërgjegjes." - Hetem Ramadani”

Vetëdija - jo mjaftueshme pa kosto

Rritja e vetëdijes është e domosdoshme, por jo e mjaftueshme. Korrupsioni nuk shembet me ndërgjegjësim, por me: Ndëshkim real; transparencë të pakompromistë; media të pakapura; institucione të pavarura; shkëputje të parasë nga politika dhe qytetarë që nuk pranojnë të jenë pjesë e zinxhirit kompromentues të sistemit.

Prandaj, Vetëdija pa veprim është teori. Reforma pa dhimbje është iluzion.

Përfundim

Nëse duam të çlirohemi nga korrupsioni, duhet të pranojmë se ai nuk është mallkim historik, por projektim i përditshëm: Nuk është fat, por strategji: Nuk është dështim, por mekanizëm kontrolli.

Shërimi fillon kur trauma identifikohet, por nuk përdoret si justifikim; kur populli kupton se nuk është viktimë, por faktor; kur energjia kthehet nga mbijetesa në krijimtari; kur lodhja nuk pranohet si normalitet, por si alarm.

Shqipëria, Kosova dhe gjithë Ballkani nuk është trup i sëmurë - është trup i mbajtur i sëmurë. Dhe, kjo ndryshon vetëm kur shoqëria refuzon të jetë pjesë e inflamacionit dhe bëhet pjesë e shërimit. /Telegrafi/