Një djalë nëntëvjeçar brazilian i janë prerë dy majat e gishtave nga shokët e klasës në një shkollë portugeze, në atë që avokatët e përshkruajnë si një rast ekstrem bullizmi që ka nxitur një reagim të madh ligjor.

Njëzet e shtatë avokatë kanë bashkuar forcat për të përfaqësuar fëmijën, i cili u sulmua më 10 nëntor në shkollën Fonte Coberta në Cinfães, distrikti Viseu, transmeton Telegrafi.


Djali u bllokua në një banjo shkolle nga dy shokë klase të cilët mbyllën derën dhe ia gjymtuan gishtat. I paaftë për të thirrur ndihmë, ai humbi shumë gjak dhe iu desh të zvarritej nën derë me gishtat e prerë tashmë, sipas nënës së tij Nivia Estevam.

Estevam i tha revistës braziliane Crescer se djali i saj kishte duruar sulme të mëparshme, duke përfshirë shqelmimin, ngufatjen dhe shkuljen e flokëve nga shokët e klasës, para incidentit të nëntorit.

Fëmija iu nënshtrua tre orësh operacioni në spitalin São João në Porto dhe tani ka nevojë për ilaçe kundër dhimbjeve dhe antibiotikë çdo 12 orë.

Ai merr pilula gjumi për shkak të traumës psikologjike dhe qan çdo natë ndërsa e përjeton përsëri sulmin, sipas nënës së tij.

"Ai është mirë gjatë ditës sepse e lejoj të përdorë telefonin celular dhe të shikojë televizor, por kur vjen ora e gjumit, ai i rijeton ngjarjet e (10 nëntorit)", tha Estevam.

Avokatja Ana Paula Filomeno, që drejton çështjen civile, i tha Euronews se ekipi ligjor është i ndarë në zona mbështetjeje civile, penale dhe psikologjike për të trajtuar atë që ajo e quajti një "situatë traumatike".

Filomeno tha se hetuesit po shqyrtojnë nëse ksenofobia luajti një rol, megjithëse ajo theksoi se origjina e sulmit ishte "e parëndësishme" duke pasur parasysh dëmin e rëndë të shkaktuar.

"Ne e dimë se kjo është diçka që po ndodh në shkollat në Portugali, nuk është një rast i izoluar", shtoi ajo. /Telegrafi/