LAJMI I FUNDIT:

Një dhëmb i sëmurë në nofullën e NATO-s: Çfarë do të thotë ndërtimi i një baze ushtarake ruse në Serbi?

Një dhëmb i sëmurë në nofullën e NATO-s: Çfarë do të thotë ndërtimi i një baze ushtarake ruse në Serbi?

Ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandër Bocan-Harçenko, më 8 gusht dha njoftimin bombë se Rusia do të ndërtojë një bazë të re ushtarake në Serbi. E shpërndanë menjëherë njoftimin anekënd Rusisë, Evropës dhe botës agjencitë kryesore informative ruse, sepse autoriteti që e dha ishte ambasadori në Beograd, që përfaqëson qeverinë, presidentin dhe shtetin rus. “Rusia do të ndërtojë bazën e saj ushtarake në Serbi. Baza është çështje e vetë interesave të Rusisë”, shkruante agjencia informative pro-qeveritare ruse “ura.ru” në 8 gusht.

Në të njëjtën ditë agjencia tjetër informative pro-qeveritare “news.ru”, shkruante që në titull me entuziazëm: “Vendosja e bazës ushtarake ruse në Serbi – një dhëmb i sëmurë në nofullën e NATO-s”. Agjencia tjetër ruse “nsn.ru” shkruante: “Një bazë ushtarake ruse në Serbi do të forconte statusin e saj si aleate e Rusisë”. Portali “glas.ru” trumbetonte: ”Rusia prish planet e forcave të armatosura të NATO-s me ndihmën e Serbisë”. Portali “Vologda-poisk.ru” theksonte: “Një bazë e tillë është e favorshme për të dy vendet”. Portali “tsargrad.ru”: “Rusia ngrihet në mbrojtje të vëllezërve serbë. Ne duhet të bëjmë të pamundurën që regjimi i Vuçiqit të mbetet në pushtet”. Portali tjetër rus “eadaily.ru”: “Baza ushtarake ruse në Serbi do të kryejë detyra zbuluese”. Portali “nsk.tsargrad.ru”: “Baza ushtarake ruse në Serbi është vetëm hapi i parë. Loja filloi”. Dhe, kështu mund të sillnim pafund emrat dhe linqet e agjencive dhe mediave pro-qeveritare ruse, që në datën 8 gusht shpërndanë njoftimin e ambasadorit rus në Beograd se Rusia do të ndërtojë një bazë të re ushtarake në Serbi.

Është një zhvillim i pazakontë ne rajon, i cili duhet marrë shumë seriozisht, si për përmbajtjen dhe pasojat, ashtu dhe për përfaqësimin diplomatik me të cilin u shpall. Ndërtimi i një baze të re ushtarake të Rusisë në Serbi përbën një hap dhe akt të rëndë kërcënimi dhe rreziku ushtarak kundër shteteve dhe popujve të Ballkanit. Është një provokacioni i rëndë që duhet të shungullojë kambanat në gjithë kryeqytetet e rajonit dhe në gjithë kryeqytetet e BE dhe të NATO-s. Ambasadori rus nuk e shpjegoi se si është arritur deri te marrëveshja për të ndërtuar bazën ushtarake ruse në Serbi. A është kjo rezultat i kërkesës së Rusisë apo rezultat i kërkesës së Serbisë dhe i presidentit të saj Vuçiq drejtuar Moskës dhe presidentit Putin për ndihmë ushtarake ndaj Serbisë. Ambasadori rus, siç njoftonte në 2 gusht agjencia ruse e lajmeve “rosbalt. ru”, kishte bërë të ditur se Serbia mund t’i drejtohet për ndihmë ushtarake Moskës në kuadrin e ashpërsimit të krizës me Kosovën. Shpallja tani e ndërtimit të një baze ushtarake ruse në Serbi lidhet me interesat e Rusisë në koniukturën e komplikuar aktuale ndërkombëtare të agresionit ushtarak rus në Ukrainë.


Rusia planifikon ta shtrijë konfliktin e armatosur në Ballkan dhe për këtë mund të përdorë vetëm Serbinë. Çështja e acarimit të tensioneve nga Serbia në kufirin me Kosovën dhe kërcënimet teatrale të presidentit Vuçiq për luftë kundër Kosovës janë preteksti i Rusisë për të vendosur bazën e saj ushtarake në Serbi, si një vatër zjarri e përhershme e Rusisë në Ballkan. Moska po synon t’i krijojë probleme sigurie dhe ushtarake NATO-s në rajonin e Ballkanit, ku ndodhen dhjetë shtete anëtare të NATO-s. E vetmja gropë e zezë anti-atlantike është Serbia, aleatja e vetme strategjike e Moskës, e cila është gatshme të instrumentalizohet nga Kremlini në funksion të strategjisë ruse të influencës në Ballkan. Duke i vënë në shërbim Rusisë territorin serb kundër Aleancës Atlantike Beogradi aspiron të shpërblehet nga Rusia për pretendimet e tij koloniale ndaj Kosovës. Është e qartë për të gjithë njerëzit me dy pare mend se presidenti Vuçiq e ka kërcënuar me luftë Kosovën tre herë brenda dhjetë muajve jo për targat. Ai ka veshur parzmoren e Millosheviqit për luftës, sepse aspiron të rimarrë pjesë të Kosovës dhe në radhë të parë Veriun.

Llogaria e gabuar e Vuçiqit është se duke pasur bazën ushtarake ruse në Serbi ai do ta ketë gjoja më të lehtë të përballojë forcat e NATO-s, që ruajnë Kosovën. Në hakërrimet e tij të fundit të muajit korrik, gjeneralët e NATO-s i bënë të qartë presidentit serb se ai nuk mund të luajë me sigurinë dhe me integritetin e Kosovës dhe se forcat e NATO-s në Kosovë janë atje për ta garantuar sigurinë e shtetit të Kosovës. Ambicia e pashuar e Vuçiqit për rikolonizimin e Kosovës duket e ka nxitur të shpejtohet për të thirrur Rusinë për ndihmë usharake dhe për t’i dhënë lejen e ndërtimit të bazës ushtarake ruse në territorin serb. Realiteti i Ballkanit me tetë shtete anëtare të NATO-s rreth e qark Serbisë duhet t’i kujtojë presidentit halucinant serb se ëndrrat militariste të Millosheviqit kanë vdekur në vitin 1999 me ndërhyrjen e NATO-s në Serbi. Natyrisht ky veprim i pashembullt i rrezikshëm i lejimit të një baze ushtarake ruse në territorin e Serbisë përbën një akt armiqësor ndaj të gjitha shteteve ballkanike, që janë për orientimin euroatlantik dhe të cilat janë rreshtuar me BE dhe me Perëndimin për sanksionet kundër Rusisë.

Serbia refuzoi të bashkohet me sanksionet antiruse dhe presidenti Vuçiq u lavdërua se realizoi sigurinë energjetike me gazin rus. Por, ambasadori rus në Beograd më 8 gusht e lidhi direkt sigurinë energjetike të Serbisë nga gazi rus me sigurinë e Moskës për të pasur një bazë ushtarake në Serbi. Bëhet e qarte se presidenti rus Putin i ka dhënë presidentit serb çmimin e lirë të gazit rus me çmimin e ndërtimit të bazës ushtarake ruse në Serbi. Shumë u habitën në muajin nëntor 2021 kur presidenti Putin i akordoi Serbisë një furnizim gjashtëmujor me gaz rus me çmim simbolik prej 270 dollarësh për metra kub në një kohë që çmimi i gazit në tregun evropian ishte një mijë dollarë. Shumë u habitën edhe në muajin maj të këtij viti, kur Putin i akordoi Vuçiqit një kontratë të re trevjeçare të gazit të lirë rus për Serbinë me çmim 450 dollarë për metra kubik. Asnjë diplomat me mend nuk e besoi se Putin po tregohej aq zemërgjerë për sytë e bukur të Vuçiqit. Disa u gabuan duke e shpjeguar se Putini kishte interes që Serbia të mos bashkohej me sanksionet BE kundër Rusisë, sikur Rusisë mund t’i bënin dëm pickimet e një mikroshteti dhe mikroekonomie si Serbia.

Në gazetën “Dita” të datës 01.12.2021, në artikullin “Putini i vesh Vuçiqit këmishën e forcës” tërhiqet vëmendja se gazeta e njohur ruse “Pravda” në 26 nëntor 2021, duke shpjeguar arsyet e çmimit të lirë të gazit rus për Serbinë pas takimit Putin-Vuçiq në Soçi në 25 nëntor 2021, thekson se Kremlini po kërkon një bazë ushtarake ruse në Serbi në shkëmbim të çmimit të lirë të gazit. Nuk e kapën këtë sinjal rus qarqet diplomatike dhe analitike në rajon dhe në Evropë. Tani shfaqet ambasadori i Rusisë në Beograd, që njofton se Moska do të ndërtojë një bazë ushtarake në territorin e Serbisë. Është një zhvillim i ri negativ dhe i rrezikshëm rajonal, që ka domethënie të shumëfishtë. Së pari, ai përbën një sfidë direkte ndaj BE, e cila ka ushqyer dhe ushqen iluzione se me lëshimet e saj të paparimta ndaj Serbisë do ta largojë atë nga Rusia. Nuk dihet se çfarë tjetër duhet të presin burokratët diplomatë të BE që të kuptojnë se Beogradi është ulur në karrigen e Rusisë.

Së dyti, veprimi serb për pranimin e bazës ushtarake ruse përbën një sfidë direkte ndaj NATO-s. Sepse baza ushtarake ruse vjen në qendër të Ballanit në një rreze direkte kërcënuese ndaj gjitha shteteve anëtare të NATO-s në rajon. Nuk e di nëse kanë më gojë të flasin ata ushtarakë apo politikanë miopë të NATO-s, të cilët sa herë që vizitonin Beogradin lavdëronin të ashtuquajturin neutralitet ushtarak të Serbisë. Tani “neutraliteti ushtarak” i Serbisë po strehohet në bazën ushtarake ruse dhe NATO duhet të ndryshojë komplet planet e saj strategjike dhe ushtarake për Ballkanin, të cilit befas iu shfaq një vatër e madhe rreziku ndaj arkitekturës atlantike të sigurisë. Eksperti ushtarak rus Viktor Baranec shkruante për agjencinë informative ruse “news.ru” në 8 gusht lidhur me bazën e re ushtarake ruse në Serbi: ”Ky objekt bëhet plasdarmi më i fuqishëm në prapavijën e NATO-s, ku do të duhet të vendoset sistemi antiraketë dhe skuadrilje aeroplanësh rusë, që të kontrollohet qielli i rajonit”.

Së treti, është një sfidë ndaj shteteve të Ballkanit, që kanë ushqyer iluzione për Beogradin dhe kanë ndihmuar në armatosjen e Serbisë me armatime të sofistikuara ruse, duke i kaluar nëpër territoret e tyre. Tani ato armë, bashkë me bazën ruse, do të drejtohen kundër të gjitha shteteve ballkanike anëtare të NATO-s. Portali rus “nsn.ru” shkruante në 8 gusht se baza ushtarake në Serbi demonstron gatishmërinë e Rusisë për t’u kthyer në Ballkan për zgjidhjen e një sërë çështjesh rajonale. Së katërti, është një sfidë direkte ndaj Shqipërisë, Kosovës dhe kombit shqiptar. Serbia dhe Rusia po përpiqen që ta kamuflojnë vendosjen e bazës ushtarake ruse në Serbi sikur diktohet nga konflikti me Kosovën. Në fakt është e kundërta. Rusia po mbështet ushtarakisht Serbinë me bazë ushtarake për nevojat ushtarake ruse në Ballkan dhe pastaj për t’i shërbyer Serbisë që ta përdorë bazën ruse si shantazh ushtarak ndaj Kosovës për lëshime territoriale.

Së pesti, vendosja e bazës ushtarake ruse në Serbi është diskreditim dhe një demaskim i menjëhershëm dhe i plotë i projektit të presidentit Vuçiq për të ashtuquajturin “Ballkan të hapur”. Baza ushtarake ruse nuk po vjen që të sigurojë shalqinjtë e Konispolit të shkojnë shëndoshë në Beograd. Baza po vjen që Serbia të shtypë ballkanasit dhe shqiptarët në emër të Rusisë. Në një situatë të tillë rreziku te dera qeveria, diplomacia dhe shteti shqiptar duhet të ngrejnë alarmin strategjik dhe kombëtar, sepse një forcë e madhe armiqësore historike si Rusia po vringëllin armet te territoret e kombit shqiptar.

Shqipëria dhe Kosova duhet të dënojnë politikën ushtarake proruse të Serbisë dhe qëllimet e saj të errëta ndaj kombit shqiptar. Tani është koha më e përshtatëshme diplomatike dhe shtetërore që Shqipëria të tërhiqet nga “Ballkani i hapur” i presidentit serb dhe të shtërngojë rradhët e saj kombëtare me Kosovën. Një “Ballkan i hapur” me bazën ushtarake ruse në Serbi nuk i duhet askujt, që nuk e don rrezikun në vatrën e shtëpisë. /Gazeta “Dita”/

Në trend

Më shumë
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”

Botë
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town

Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town

Premier League
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme

"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'

Botë
Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A

Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A

La Liga
Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus

Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus

Evropa
Kalo në kategori