Site icon Telegrafi

Nis shembja e kompleksit turistik të Hysenbelliu Group, pronar i disa mediave në Shqipëri

Aksioni për shembjen e kompleksit Prestigj Resort në Golem

Në Shqipëri, Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit nisi sot një aksion për prishjen e një kompleksi shumëkatësh në bregdet pjesë e Prestigj Resort, në pronësi të Hysenbelliu Group, i cili zotëron dhe disa medisa të rëndësishme në vend. Përfaqësuesit e kompanisë janë shprehur se nuk kanë marrë asnjë njoftim nga autoritetet dhe asnjë vendim për prishjen, duke e lidhur ndërhyrjen me linjën editorial të mediave që kontrollon. Kryeministri Edi Rama nga ana e tij u shpreh se thjesht po zbatohet ligji ndaj ndërtimeve pa leje

Që në mëngjes herët, kompleksi turitik në Golem, Prestigj Resort, u rrethua me shiritat e verdhë që ndalonin hyrjen në atë zonë, ndërsa punonjësve, por dhe pushuesve që gjendeshin aty, ju dha urdhri për t’u larguar. Përfaqësuesit e kompanisë Hysenbelliu Group, deklaruan se u gjendën në befasi përballë kësaj ndërhyrjeje dhe se nuk kishin në dijeni të asnjë vendimi apo të ishin njoftuar paraprakisht, për të patur mundësi që të ndiqnin hallkat e duhura ligjore.

Më kot ata kërkuan, në disa raste, shpjegime nga drejtuesit e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit që ndodheshin aty me mbështetjen edhe të forcave të policisë.

Mjetet e Inspektoriatit nisin fillimisht prishjen e një pjese të godinës qendrore. Më pas atyre ju bashkuan specialist të xhenios. Në kollonat mbajtëse filluan të hapen vrimat për vendosjen e eksplozivit, mesa duket për të realizuar një shpërthim të kontrolluar për shembjen e të gjithë ndërtesës shumëkatëshe.

Kompania publikoi lejen që ka marrë për ndërtimin e objektit. Ndërsa gjatë ditës kryeministri Edi Rama, duke ju përgjigjur pyetjes së gazetarëve, deklaroi se qeveria e tij ka nisur një proces shumë serioz për t’i vënë kapak një historie 30 vjeçare abuzimi në raport me ligjin: “Ligji është shumë i qartë. Masat për ndërtimet që bëhen në shkelje të lejeve të ndërtimit për qëllim fitimi, janë shumë të qarta në ligj dhe janë të përshkallëzuara në ligj. Ka konfiskim, ka shembje, ka masa pjesore në varësi nga niveli i shkeljes e kështu me radhë”.

Kryeministri nuk dha detaje për rastin. Zëri Amerikës kërkoi informacion pranë autoriteteve rreth ndërhyrjes së sotme dhe vendimit mbi të cilin është bazuar, por nuk mori asnjë përgjigje deri në momentin e përgatitjes së këtij materiali.

Kompleksi turistik funksion prej disa vitesh, duke u frekuentuar dhe nga vetë kryeministri, ndërsa ministrat e tij e kanë reklamuar si shembull të zhvillimit turistik të vendit.

Për drejtuesit e kompanisë e cila kontrollon disa media të rëndësishme si Gazeta Panorama dhe Gazeta Shqiptare, televizioni News 24 dhe portal Balkanweb, gjithçka shihet si një sulm pikërisht ndaj këtyre mediave dhe linjës së tyre editoriale.

E gjithë opozita në kor e dënoi ndërhyrjen e sotme, duke e cilësuar atë si një “hakmarrje politike ndaj mediave” nga ana e kryeministrit./VOA/

Exit mobile version