LAJMI I FUNDIT:

Nis Festivali i Teatrove në Ferizaj

Nis Festivali i Teatrove në Ferizaj
(Foto: KP)

Për të 49-tin vit me radhë, sot (e hënë) Ferizaji ngre siparin e festivalit më prestigjioz kombëtar të teatrove. Qindra aktorë tashmë kanë ndarë datën për t’u prezantuar para publikut në hapje dhe gjatë gjithë netëve të Festivalit të Teatrove.

“Shumë zhurmë për asgjë” me regji nga Zana Hoxha, “Një letër e humbur” me regji nga Kushtrim Bekteshi, “Zona e pritjes” me regji nga Fatos Berisha, “UN Inspektori” me regji nga Erson Zymberi, “Erdhi Godoja” me regji nga Shkëlzen Berisha, “Ditë vere” me regji nga Naser Shatrolli dhe “Kanuni i gruas” me regji nga Arlinda Morina janë shfaqjet e loja brilante e aktorëve që janë përgatitur për këtë edicion të festivalit.

Drejtori i Teatrit “Adriana”, Fatmir Hyseni bëri të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për të filluar mbarë edicionin e 49 të Festivalit të Teatrove dhe se trupat e aktorëve nga pothuajse e gjithë gjeografia shqiptare duke nisur nga Gjakova, Tetova, Shkodra, Gjilani, Podujeva, Prishtina, për të përfunduar tek nikoqiri, Ferizaj, janë gati për t’i dhuruar publikut, momente të veçanta artistike e cilësi të lartë të shfaqjeve teatrore.


Ai tutje bëri të ditur edhe jurinë e këtij festivali që përbëhet nga emra të dëshmuar të artit skenik, si Haqif Mulliqi, Shengyl Ismajli dhe Mevlan Saraçi, transmeton KP.

Organizimi i këtij edicioni të Festivalit të Teatrove nuk kufizohet vetëm në shfaqjet, pjesë të konkurrencës zyrtare, por edhe në aktivitete përcjellëse, ku për këtë edicion është programuar promovimi i librit të të ndjerit, profesorit universitar, Bekim Lumi, kontributit të tij të veçantë për artin e kulturën kombëtare.