Nga “ushtruesit” e Behramit te “cirku” i Gurit dhe ndërpreja e “telefonit” nga Dehari – humor e ironi në dështimin e radhës të Kuvendit

Seanca e 44-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës nisi me humor të mirë, kjo për shkak se kryesuesi i seancës Avni Dehari e ngatërronte mikrofonin me telefonin.
Në momentin kur ftoi partitë politike që të propozojnë emrat për anëtarë të Komisionit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, nga PDK doli deputeti Artan Behrami që të merr fjalën.
Behrami iu drejtua deputetëve të LVV-së si ushtrues të detyrave në qeveri.
“I nderuar u.d i kryetarit të Kuvendit, i nderuar ushtrues i kryeministrit, ushtrues të detyrës së ministrave. E nderuara ushtruese e përjetshme e kandidates për kryetare të Kuvendit, të dashur qytetar të shtetit u.d e ftoj kryesuesin të kthehet te aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, respektone Kushtetuën...”, tha Behrami.
Pas kësaj ndërhyri Dehari duke kërkuar nga regjia t’ia ndërpresë fjalën.
“Regjia të ndërpresë telefonin, mikrofonin”, tha Dehari.
Radha i erdhi i LDK-së që të propozoi antarin për këtë komision. Deputeti Paris Guri iu drejtua deputetëve të LVV-së që të qetësohen, shkruan Telegrafi.
“Dimal qetësohu”, tha Guri pastaj kryesuesi Dehari i kërkoi sërish regjisë t’ia ndërpresë fjalën.
Në tentimin e dytë Guri nga foltorja e Kuvendit u përplas me deputeten e LVV-së, Fitore Pacolli.
“Fitore qa po kesh ti a i ke kthy 200 mijë euro, mos kesh Fitore se marre. Oj Fitore mos bërtit moj”, tha Guri.
Sërish Dehari ia ndërpreu fjalën, duke i thënë se nuk bënë të mbash debat.
“Dy herë tu ka dhënë mundësia”, i tha Dehari deputetit Guri, ndërkaq ky iu përgjigj se “si të flas kur këta qeshin si cirk, si të flas para cirkut”.
Dehari ia mundësoi edhe njëherë fjalën deputetit Guri që të jap propozimin, por sërish e ngatërroi mikrofonin me telefon.
“Ju lutem mbani qetësi edhe njëherë do t'ia lejoj mikrofonin por nëse keqpërdoret ndërpritet telefoni”, tha Dehari.
Guri sërish iu drejtua deputetes Pacolli “sje tu më lan me fol Fitore, 200 mijë euro kthej”.
Dehari “ju ndërpritet telefoni dhe nuk ka mundësi të vazhdoni”.
E nga AAK-ja deputetja Time Kadrijaj propozoi sërish si anëtarë për komision Albin Kurtin.
Ndryshe edhe kjo seancë si të tjerat ka dështuar duke thelluar edhe më tej krizën institucionale. /Telegrafi/

















































