Ajaxi ka nënshkruar me Maximilian Ibrahimovic, djalin e legjendarit Zlatan Ibrahimovic, në formë huazimi nga AC Milan deri në fund të sezonit.

Klubi holandez synon ta përsëris historinë e para më shumë se 20 viteve, pasi ka nënshkruar me djalin e Zlatan Ibrahimovicit, Maximilianin, i cili vjen si huazim nga Milani.


“AC Milan mund të konfirmojë se Maximilian Zlatan Seger Ibrahimovic i është bashkuar AFC Ajax në formë huazimi, me një opsion për ta bërë marrëveshjen të përhershme”.

“Klubi dëshiron t’i urojë Maximilianit gjithë të mirat për pjesën e mbetur të sezonit”, thuhet në deklaratën e klubit italian.

Edhe klubi holandez ka konfirmuar marrëveshjen e huazimit për sulmuesin 19-vjeçar.

“Ajax ka arritur një marrëveshje me Maximilian Ibrahimovic dhe AC Milan për huazimin e sulmuesit 19-vjeçar. Marrëveshja e huazimit është e vlefshme për gjashtë muaj, deri në fund të këtij sezoni. Marrëveshja përfshin një opsion blerjeje për Ajax”, njofton klubi holandez.


Ndryshe, sulmuesi anësor suedez ka qenë në formë të shkëlqyer për Milan Futuro (ekipi rezervë) këtë sezon, duke shënuar pesë gola dhe katër asistime.

Do të jetë interesante të shihet nëse koha e Maximilian do të ndahet midis ekipit të parë të Ajaxit dhe Jong Ajax, ekipit rezervë të gjigantit të Amsterdamit. /Telegrafi/

telegrafi sport app