Me rifillimin e gjysmësezonit pranveror në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, vëmendja e opinionit sportiv do të jetë e përqendruar te derbi shqiptar mes Shkëndijës dhe Struga Trim Lum. Ky duel pritet të jetë kryefjala e xhiros së parë pranverore dhe një test serioz për ambiciet e dy skuadrave që edhe këtë sezon synojnë titullin kampion, njofton Telegrafi.

Shkëndija dhe Struga kanë kaluar një fazë mjaft të suksesshme të përgatitjeve dimërore në Antalia të Turqisë. Përveç stërvitjeve intensive, të dyja ekipet kanë zhvilluar edhe disa ndeshje kontrolluese, duke fituar ritëm gare dhe duke testuar formën e lojtarëve para rifillimit të kampionatit. Në këtë aspekt, të dyja skuadrat hyjnë të përgatitura dhe me objektiva të qarta në pjesën vendimtare të sezonit.


Java e 17-të nis të martën, më 10 shkurt, me dy përballje: Shkupi – Tikveshi dhe supersfidën Shkëndija – Struga Trim Lum. Të mërkurën, më 11 shkurt, do të zhvillohen takimet Vardari – Arsimi dhe Sileksi – Bashkimi, ndërsa xhiroja mbyllet të enjten, më 12 shkurt, me ndeshjet AP Brera – Makedonija Gj.P. dhe Pelisteri – Rabotniçki. Të gjitha ndeshjet do të luhen në të njëjtin orar, duke filluar nga ora 14:00.

Megjithatë, pavarësisht pritshmërive dhe paralajmërimeve të shumta, analiza e afatit kalimtar dimëror tregon se afati kalimtar ishte një zhgënjim i përgjithshëm. Rrallëherë vitet e fundit është parë një afat kalimtar kaq i varfër, si në aspektin e cilësisë, ashtu edhe të numrit të përforcimeve, edhe pse pati disa përjashtime.

Sa u përket ekipeve shqiptare, fokusi kryesor mbetet te Shkëndija dhe Struga Trim Lum, të cilat edhe pas afatit kalimtar dimëror, vazhdojnë të mbeten pretendentët më serioze për titullin duke shhtuar këtu edhe Vardarin. Shkëndija posedon tashmë një skuadër të konsoliduar dhe nuk kishte nevojë për përforcime të shumta, por pas largimit të Klisman Cakës, ishte e domosdoshme ndërhyrja në repartin defensiv. Tetovarët sollën Fahd Ndzenge nga Brera dhe Drilon Islamin nga Cluj, ndërsa një nga “përforcimet” më të rëndësishme konsiderohet edhe mbetja e Reshat Ramadanit, i cili edhe këtë sezon do të vazhdojë si lojtar i huazuar nga Dinamo Kiev.

Struga TL, ndonëse nuk ishte shumë aktive në përforcime, zgjodhi një qasje më të matur, duke afruar dy futbollistë të rinj dhe perspektivë: Adrian Zendelovskin dhe Vasko Vasilevin. Me bërthamën ekzistuese të ekipit dhe stabilitetin e ruajtur, djemt e Bledi Shkëmbit mbeten në garë serioze për titull.

Në anën tjetër, Arsimi dhe Bashkimi hyjnë në pjesën pranverore me objektivin kryesor – mbijetesën. Arsimi tentoi të përforcohet, ndërsa vlen të theksohet afrimi i Remzifaik Selmanit, një emër i njohur i kampionatit, i cili dikur me fanellën e Renovës ishte ndër lojtarët më të mirë. Edhe Bashkimi pritet të ketë një pranverë të vështirë, ku çdo pikë do të jetë jetike në luftën për qëndrimin në elitë.

Situata më shqetësuese mbetet te FC Shkupi. Klubi nuk solli asnjë përforcim gjatë afatit dimëror, ndërkohë që u përball me largime të shumta. Problemet financiare dhe organizative e kanë pamundësuar një përgatitje normale për sezonin pranveror, ndaj nga kjo skuadër nuk priten ndryshime apo befasi, por një betejë e vështirë për të përballuar pjesën e mbetur të kampionatit.

Gjysmësezoni pranveror pritet të sjellë sfida interesante, por edhe të nxjerrë në pah dallimet mes skuadrave që luftojnë për titull dhe atyre që synojnë mbijetesën. /Telegrafi/

telegrafi sport app