"Nëse nuk mundesh pa Coca-Cola, mos fillo asnjë gjë me përgjegjësi" – Arbër Peci jep mesazhin e fortë për disiplinën personale
Trajneri i njohur personal dhe motivuesi i shumë të rinjve, Arbër Peci, ka shpërndarë së fundmi një opinion që po bën jehonë në rrjetet sociale – një reflektim i thellë mbi disiplinën personale, si themeli i çdo përgjegjësie të madhe që marrim në jetë.
“Nëse nuk mundesh pa Coca-Cola, mos fillo asgjë me përgjegjësi”, nis ai mesazhin, duke përdorur një metaforë të thjeshtë, por goditëse. Sipas Pecit, nëse një njeri nuk arrin të vetëpërmbahet nga një zakon i vogël si konsumimi i një pije të gazuar, atëherë ai nuk është ende i gatshëm të përballet me sfida shumë më të mëdha – qoftë në ndërtimin e një biznesi, në një lidhje afatgjatë apo në udhëheqjen e një ekipi.
“Nëse një pije të kontrollon ty, si do t’i kontrollosh ti presionet e një ekipi, sfidat e një lidhjeje, barrën e një vendimi?”, thekson ai, duke nënvizuar se vetëkontrolli nuk është luks, por një domosdoshmëri për çdo individ që dëshiron të jetë i qëndrueshëm dhe i suksesshëm.
Ai shton se gjithçka fillon nga gjërat e vogla – nga momentet që shpesh i neglizhojmë me frazën “s’ka gjë”. Pikërisht aty fillon ndërtimi i karakterit, ose rrënimi i tij.
Në përfundim, Arbër Peci shtron një mesazh të qartë: “Nuk bëhesh lider duke udhëhequr të tjerët. Bëhesh lider kur mëson të udhëheqësh veten”.
Një thirrje e fuqishme për secilin prej nesh që synon të ndërtojë, të udhëheqë apo të ruajë qëndrueshmëri në çdo aspekt të jetës – duke nisur nga vetja. /Telegrafi/






























