Nëse i bëni këto 8 gjëra gjatë divorcit, po i dëmtoni fëmijët tuaj pa e kuptuar

Vendimi për t’u divorcuar nuk është i lehtë - as vetë procesi i divorcit. Kur mbizotëron dëshira për të lënduar ish-partnerin, shpesh janë pikërisht fëmijët ata që vuajnë më shumë
Divorci ndryshon gjithçka, nga zakonet e përditshme, te ndjenjat që dikur ushqenit për partnerin. Dashurinë dhe afërsinë shpesh i zëvendësojnë frustrimi, zemërimi apo edhe urrejtja. Edhe pse shumica e prindërve e dinë se nuk duhet t’i ekspozojnë fëmijët ndaj një atmosfere toksike, në praktikë kjo ndodh shpesh.
Shumë prindër pohojnë se mirëqenia e fëmijëve u vjen e para, por kur dëshira për t’u hakmarrë ndaj ish-partnerit bëhet më e fortë, pikërisht fëmijët janë ata që dëmtohen më shumë. Në vend që energjia të përqendrohet në mbështetje dhe dashuri ndaj tyre, ajo shpenzohet në konflikte dhe sjellje pasive-agresive.
Gabimet më të shpeshta që i dëmtojnë fëmijët pas divorcit
- Pengimi i kontaktit me prindin tjetër
Të ndëshkosh ish-partnerin duke i mohuar fëmijës kontaktin me të, në fakt do të thotë të ndëshkosh vetë fëmijën. Ata i duan të dy prindërit dhe nuk e meritojnë të bëhen peng në lojën e hakmarrjes.
- Shmangia e pagesës së alimentacionit
Alimentacioni nuk është dhuratë për ish-partnerin, por mbështetje për fëmijën. Kur një prind refuzon ta paguajë, i dërgon fëmijës mesazhin se nuk është i vlefshëm për kujdesin më elementar dhe kjo lë plagë të thella emocionale.
- Fyerjet ndaj ish-partnerit para fëmijës
Fëmijët i duan të dy prindërit. Kur i detyroni të dëgjojnë ofendime, ata ndihen sikur duhet të zgjedhin anë, një formë e shantazhit emocional që rëndon psikikën e tyre, transmeton Telegrafi.

- Sulmet ndaj familjes së ish-partnerit
Gjyshërit, hallat, xhaxhallarët dhe kushërinjtë janë pjesë e rëndësishme e jetës së fëmijëve. Duke i detyruar të ndërpresin lidhjet me njërën anë të familjes, u hiqni ndjenjën e përkatësisë dhe sigurisë.
- Krahasimet me prindin tjetër në mënyrë negative
Shprehje si “Je si babai yt!” apo “Flet si nëna jote!” nuk janë të pafajshme, fëmijët i përjetojnë si fyerje. Në këtë mënyrë u dërgoni mesazhin se edhe ata vetë janë të padëshiruar.
- Përdorimi i fëmijës si “spiuni”
T’i kërkoni fëmijës të ju tregojë për jetën e ish-partnerit e vendos atë në pozitë të pamundur dhe i cenon ndjenjën e sigurisë. Fëmija ndihet i ndarë mes dy botëve dhe nën presion për të “tradhtuar” dikë që e do.
- Fajësimi për kohën që kalon me prindin tjetër
Nëse e doni fëmijën tuaj, duhet të doni që të jetë i lumtur, edhe kur është me prindin tjetër. Komentet përçmuese e bëjnë të ndihet në faj dhe e mësojnë se gëzimi me njërin prind do të thotë tradhti ndaj tjetrit.
- Nevoja për të shmangur ish-partnerin duke neglizhuar fëmijën
Nëse i shmangeni vetë fëmijëve vetëm për të mos u përballur me ish-partnerin, u dërgoni mesazhin se nuk ia vlejnë përpjekjes tuaj. Kjo godet fort vetëvlerësimin e tyre dhe krijon ndjenjë refuzimi.

Fokusohuni te fëmijët, jo te konflikti
Divorci është i dhimbshëm dhe emocionet janë të forta, por përgjegjësia prindërore mbetet e njëjtë: të duash, të mbrosh dhe të kujdesesh për fëmijët.
Fiksimi me urrejtjen ndaj ish-partnerit vetëm sa thellon plagët. Hakmarrja më e mirë nuk është mohimi i dashurisë dhe mbështetjes, por ndërtimi i një jete të re dhe të shëndetshme, ku fëmijët rriten të sigurt, të dashur dhe të respektuar. /Telegrafi/

















































