Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me organizatën Islamic Relief Worldwide – Zyra në Kosovë, për mbështetjen e fermerëve lokalë me pajisje bujqësore, në vlerë mbi 110 mijë euro.

Marrëveshja është nënshkruar me drejtorin e kësaj organizate, Dr. Mohamed Soliman, dhe parasheh realizimin e një projekti në sektorin e bujqësisë, i cili synon rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe përmirësimin e kushteve të punës për fermerët e komunës.


Sipas detajeve të marrëveshjes, vlera totale e projektit është 110,873.40 euro, prej të cilave 61,350 euro, apo 55 për qind, do të financohen nga Islamic Relief, ndërsa 49,523.40 euro, apo 45 për qind, nga Komuna e Drenasit.

Përfitues të projektit do të jenë fermerët e komunës, ndërsa zbatimi i tij do të bëhet në bashkëpunim me Drejtorinë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.

Po ashtu, marrëveshja parasheh edhe pjesëmarrjen e fermerëve përfitues me 30 për qind të vlerës së komponentës përfituese, pas publikimit të listës së përfituesve.

Nga Komuna e Drenasit bëjnë të ditur se përmes këtij projekti synohet fuqizimi i sektorit bujqësor përmes një modeli bashkëpunimi ndërmjet donatorit, institucionit lokal dhe vetë fermerëve, me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë në këtë komunë. /Telegrafi/