LAJMI I FUNDIT:

Nëna e njerëzimit

Nëna e njerëzimit

Të rrallë janë njerëzit që sakrifikojnë jetën e tyre, që shndërrohen në dritë me veprën e tyre. Nëna Tereze është figurë unike dhe e tillë do të mbetet sa të jetë njerëzia. Vepra e saj e shenjtë do t’i shërbejë brezave, si frymëzim se vetëm përmes mirësisë, dashurisë dhe urtësisë njeriu arrin t’i japë kuptim ekzistencës së tij në botë.

Kështu, jeta jonë është e shkurtër, por janë veprat ato që na bëjnë të përjetshëm. Nëna Tereze, me veprën e saj hyjnore do mbetet e shenjtë, përgjithmonë.


Kjo grua nga Shkupi ynë i fali botës shpirtin e saj human, për t’u bërë personifikim i gruas shqiptare në sytë e njerëzimit.

Me 26 Gusht 1910, nga dera e familjes Bojaxhiu lindi Gonxhja, e cila më vonë do njihej në botë si Nëna Tereze. Ajo zgjodhi rrugën e Zotit dhe urtësisë. Në Indi themeloi Misionaret e Bamirësisë – një kongregacion i cili më 2012 kishte mbi 4,500 misionare në 133 vende. Fëmijët jetimë, të sëmurë, të varfrit e të gjithë ata që kishin nevojë për ndihmë, kishin Nënën që ua zgjati dorën deri në frymën e fundit të saj.

Gjithë bota u mahnit nga bujaria dhe urtësia e saj. Vepra e saj e madhe u nderua sa ishte gjallë, më 1962 me Çmimin “Ramon Magsaysay” dhe më 1979 me Çmimin Nobel për Paqe. Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti se nga ishte. Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.

Nëna Terezë çdo herë e mbante në mendje dhe zemër atdheun e saj. Ishte zëri i Nënës Tereze që ngriti në qarqet më të larta të diplomacisë vuajtjen e popullit të saj dhe dëshirën për liri. Ndaj, presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton, është shprehur në qershor 2002: “Nënë Tereza ishte e para qe më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe, tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”.

Duke u frymëzuar nga vepra e madhe e Nënës Tereze, më 17 qershor 1990 themelohet shoqata “Nëna Terezë” në Pejë, e cila ishte imperativ i kohës për shkak të dhunës së gjenocidit serb dhe mbylljes së të gjitha institucioneve shtetërore. Nga kjo dhunë qindra-mijëra shqiptarë nuk kishin as gjërat elementare për të jetuar. Shoqata iu doli në ndihmë me ushqim e veshmbathje.

Me datën 25 prillit të vitit 1993, Shqipërinë e viziton Papa Gjon Pali II, nën shoqërimin e Nënës Tereze. Pata nderin dhe mundësinë që t’i takoj këto dy personalitete të mëdha botërore dhe për këtë privilegj u jam mirënjohës dy miqve të mij të ndjerë, Don Gjergj Gjergji i cili ka shërbyer në Elbasan dhe Viktor Gashi, mik dhe bashkëqytetar nga Peja i cili ka dhënë kontribut të rëndësishëm në funksionimin e shoqatës “Nënë Tereza”. Në vitin 1994 kisha nderin të jem i ftuar në drekë me Nënën Tereze në Elbasan.

Më 5 shtator 1997, Nëna Tereze u largua për në amshim. E gjithë bota ishte në zi, sepse humbi dritën e saj. Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françeskut, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet shenjt nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj.

Vepra e saj e madhe u shenjtërua për të na bërë krenar dhe neve si popull i saj se na gjiri ynë nxorëm personalitete unike që i shërbyen njerëzimit në iluminimin e tij.