Negociatat për një marrëveshje armëpushimi të qëndrueshme për Gazën janë në një "moment kritik", ka njoftuar kryeministri i Katarit, i cili ka luajtur një rol kyç në ndërmjetësimin e marrëveshjes.

Sheiku Mohammed bin Abdulrahman tha se një armëpushim përfundimtar mund të ndodhë vetëm me një tërheqje të plotë të trupave izraelite nga enklava e rrethuar.


Bëhet e ditur se faza e parë e një marrëveshjeje për armëpushim u arrit në tetor, por dhuna në Gaza nuk është ndalur.

Vetëm të shtunën, thuhet se u vranë shtatë persona.

Autoritetet lokale shëndetësore palestineze thanë se viktimat ishin nga Beit Lahiya, Jabalia dhe Zeitoun në Gazën veriore dhe përfshinin një grua 70-vjeçare e cila u vra nga një sulm me dron.

Ndryshe, armëpushimi i shumëpritur - dhe i dyti pasi një marrëveshje e parë u prish në fillim të këtij viti - filloi më 11 tetor pasi Izraeli dhe Hamasi ranë dakord për fazën e parë të planit të paqes prej 20 pikash të Donald Trump .

Pavarësisht akuzave nga të dyja palët për shkelje, bisedimet mbi fazën tjetër të marrëveshjes së armëpushimit filluan pothuajse dy javë më parë , me zyrtarë turq, katarianë dhe egjiptianë që u takuan në Kajro për të diskutuar pjesën e dytë të marrëveshjes, duke përfshirë vendosjen e një force dhe organi stabilizues për të qeverisur Gazën dhe për të mbikëqyrur rindërtimin.

Që nga fillimi i armëpushimit, Hamasi ka kthyer të 20 pengjet e gjalla dhe 27 trupa në këmbim të rreth 2,000 të ndaluarve dhe të burgosurve të dënuar palestinezë. /Telegrafi/