Nga: Gideon Rachman / Financial Times
Përktheu: Agron Shala /Telegrafi.com
Vladimir Putin e ka një emër për Perëndimin. E quan “perandoria e gënjeshtrës”. Deklarimi i liderit rus për “operacionin special ushtarak” në Ukrainë u shoqërua me referenca mashtruese për dyfytyrësinë e perëndimorëve në Kosovë, në Irak, në Libi dhe më gjerë.
Zemërimi i Putinit është i pa shtirur. Siç vëren komentatori politik Ivan Krastev: “Hipokrizia e Perëndimit është bërë obsesion për të”.
Por, hipokrizia dhe gënjeshtra nuk janë e njëjta gjë. Dallimi mund të duket semantik, madje joserioz – por ka rëndësi. Qeveria ruse është e specializuar në gënjeshtra, deri në fund, duke këmbëngulur – në mënyra të ndryshme – se nuk e ka pushtuar Ukrainën, se nuk e helmoi liderin e opozitës Alexei Navalny, se nuk kishte asnjë lidhje me rrëzimin e aeroplanit të fluturimit MH17 dhe se ushtria e saj nuk ka kryer krime lufte.
Për dallim, ShBA-ja dhe aleatët e saj specializohen në hipokrizi. Vesi karakteristik perëndimor është të shpallësh një ideal apo një politikë dhe më pas ta zbatosh atë në mënyrë jokonsistente. Pra, vendet perëndimore e shpallin veten si mbrojtëse të të drejtave të njeriut, por konkurrojnë për t’i shitur armë Arabisë Saudite.
Ata janë në favor të sovranitetit të shtetit, por ShBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca mbështetën ndërhyrjen humanitare në Libi gjë që çoi, drejtpërdrejt dhe ndoshta qëllimisht, në ndryshimin e regjimit dhe vdekjen e dhunshme të liderit libian, Muammer Gaddafi. Vendet perëndimore e shpallin veten se janë të vendosura kundër përhapjes bërthamore, por bëjnë përjashtim në rastet e Izraelit dhe Indisë, megjithëse jo të Iranit.
Perëndimi është “perandori hipokrizie”. Rusia është ajo “perandoria e vërtetë e gënjeshtrës”. Dhe, kur bëhet fjalë për një sprovë fuqie mes sistemeve, hipokrizia funksionon më mirë sesa gënjeshtra e hapur.
Në një perandori hipokrizie, debati dhe kritika e hapur janë ende të mundshme. Bëhen gabime dhe bëhen krime. Por, këto krime mund të vihen re – ose nga hetimet zyrtare ose nga një shtyp i lirë. New York Times sapo ka fituar çmimin Pulitzer për një hetim të saktë mbi luftën me dronë të Amerikës dhe për numrin e tmerrshëm në viktimat civile. Përgjigja e Pentagonit ishte falënderimi për gazetën dhe premtimi për ndryshim. Më shumë hipokrizi? Ndoshta – por nuk do të kishte shpresë reforme pa hetim dhe ekspozim.
Askush në Rusi nuk do ta fitojë asnjë çmim për hetimin mbi krimet e luftës të kryera në Buça ose për shkatërrimin e Mariupolit. Çdo gazetar, i guximshëm sa duhet për ta provuar këtë, do të përfundonte në burg ose i vdekur. Në vend të kësaj, qeveria ruse nxjerr gënjeshtra – të tilla si pretendimi se kufomat në rrugët e Buçës u vendosën atje nga ukrainasit.
Shoqëria që mund të përballet me të vërtetat e dhimbshme nuk është veç moralisht më e preferuar. Është gjithashtu më efikase. Një perandori gënjeshtre ekziston në gjendje të disonancës së vazhdueshme konjitive. Janë disa aspekte të jetës shoqërore nën sistemin represiv, ku është ende e nevojshme të thuhet e vërteta: në çfarë ore niset treni im? A kam kancer? Ka fusha të tjera ku është thelbësore të fshihet e vërteta: a u manipuluan këto zgjedhje? Sa rusë kanë vdekur në Ukrainë?
Problemet lindin kur politika kërkon gënjeshtër, por një shoqëri funksionale e kërkon të vërtetën. Efektet gërryese shoqërore të gënjeshtrës kapen në thënien e famshme sovjetike: “Ne bëjmë kinse punojmë, ata bëjnë kinse na paguajnë”.
Rreziku i bazuar në politikën e gënjeshtrës, gjerësisht është demonstruar në Ukrainë. Deri në momentin e fundit, Kremlini mohonte se pushtimi po planifikohej. Me sa duket, edhe zyrtarët e lartë rusë e mësuan të vërtetën tek disa orë para se tanket të lëviznin. Edhe sot lufta në shkallë të plotë duhet të quhet “operacion special ushtarak “.
Por, Putini dhe Rusia po e paguajnë tashmë një çmim të rëndë për gënjeshtrat që Kremlini ia tha botës dhe vetes. Rezultoi se Qeveria e Ukrainës nuk udhëhiqet nga neo-nazistët e çmendur nga droga. Populli i Ukrainës lindore nuk ishte i dëshpëruar për t’u “çliruar” nga ushtria ruse. Ëndrrat e Putinit për fitore të shpejtë u shkatërruan kur u ndeshën me realitetin.
Megjithatë, Perëndimi nuk mund të jetë i vetëkënaqur me aftësitë e veta për t’i rezistuar politikës së gënjeshtrës së madhe. Pushtimi i Irakut u justifikua me pretendimin e rremë se regjimi i Saddam Husseinit zhvillonte armë të shkatërrimit në masë. Duket se ShBA-ja e kishte bindur veten se kjo është e vërtetë. Drejtori i CIA-s i tha presidentit George W. Bush se provat mbi këto armë ishin “për fitore të lehtë”. Presioni politik për ta justifikuar pushtimin, ndihmoi në krijimin e një narrative të rreme – me efekte katastrofike.
Në mënyrë edhe më serioze, Donald Trump e ka futur politikën e “gënjeshtrave të mëdha” në zemër të politikës së brendshme amerikane. Trump vazhdon të insistojë se janë vjedhur votat në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Pjesa më e madhe e partisë republikane iu bashkua kësaj gënjeshtre. Dhe, duket se Trump do të kandidojë përsëri për president më 2024 dhe se ka një shans të mirë për të fituar.
Dallimet më të qarta midis perandorisë ruse të gënjeshtrës dhe perandorisë së hipokrizisë së Amerikës shpeshherë gjenden jo aq shumë në sjelljet e tyre përtej kufijve, por te sistemet e brendshme që mbrojnë. Sistemi i Putinit mbështetet gjithnjë e më qartë mbi gënjeshtrat dhe shtypjen. ShBA-ja është ende vend i lirë.
Liria e fjalës është aq e rrënjosur në Amerikë sa edhe Trumpi i rizgjedhur nuk do të jetë në gjendje të këmbëngulte – siç bën Putin – se çdo qytetar i vendit të tij duhet të mbështesë gënjeshtrën e tij ose të përballet me burgun. Por, nëse politika e gënjeshtrës së madhe shpërthen edhe një herë nga Shtëpia e Bardhë, kjo do ta degradonte Amerikën dhe do ta rrezikonte botën. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrestimin e Netanyahut
NASA publikoi foto të reja mahnitëse të Jupiterit
Pas tërheqjes së Gaetzit, Trump emëron një grua për Prokurore të Përgjithshme
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje