Në vitin 2012 janë llogaritur rreth 35.3 milionë njerëz të prekur me virusin HIV.

Afrika sub-sahariane është rajoni më i prekur me pothuajse një në 20 të rritur që jeton me HIV. 69 për qind e të gjithë njerëzve që jetojnë me HIV, jetojnë në këtë rajon.


HIV-i mund të transmetohet nëpërmjet shkëmbimit të lëngjeve të ndryshme trupore nga individët e infektuar, të tilla si gjaku, qumështi i gjirit, sperma dhe sekrecionet vaginale. Individët nuk mund të infektohen me kontakte të zakonshme, si puthja, përqafimi, shtrëngimi i duarve etj.

Çdo vit, Instituti i Shëndetit Publik i Shqipërisë raporton numrin e rasteve të reja të personave të infektuar me HIV/AIDS, por pavarësisht kësaj specialistët shprehen se numri i të prekurve është më madh nga ai që njihet. Deri në dhjetor të vitit 2012, raportoheshin 555 persona të prekur nga kjo sëmundje dhe nëse i shton edhe 70 rastet e zbuluara për 9-mujorin e parë të këtij viti, numri i të infektuarve shkon në 625, transmeton BW.

Ndërkaq, ekspertët e ISHP-së rendisin një sërë arsyesh mbi mosnjohjen e shifrave reale të personave të infektuar nga HIV-i. "Sipas përllogaritjeve, numri i rasteve duhet të jetë edhe më i madh. Disa nga arsyet për këtë janë: stigma e konfidencialiteti, mungesa e testimit vullnetar, informacioni i pakët dhe jo i saktë, hezitimi për të kryer testin, informacion i pakët për faktorët e sjelljes me risk të lartë etj.", shpjegojnë ekspertët e ISHP-së. /Telegrafi/