Ashtu siç ishte pritur, Komisioni Evropian, të mërkurën, ka miratuar në kolegjin prej 28 anëtarësh vendimin për të rekomanduar heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, duke konstatuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, por duke i dhënë Kosovës afat që deri në miratimin e këtij vendimi në Këshillin e BE-së dhe në Parlamentin Evropian të përmbushë edhe dy kushte që kanë mbetur - ratifikimin e Marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit dhe përforcimin e dëshmive për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

I pyetur nga “Koha Ditore” se a mund të llogarisë edhe Kosova që vizat do të hiqen deri në fund të muajt qershor, kur është afati i përmendur për heqjen e vizave për Turqinë, për të cilët të njëjtën ditë u dha po ashtu rekomandimi i Komisionit, komisioneri për Migrim dhe Punë të Brendshme, Dimitris Avramopoulos, i cili edhe ka kumtuar lajmin për rekomandimin e Komisionit për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, është shprehur optimist, shkruan sot Koha Ditore.


Ai ka thënë se shpreson se Këshilli dhe Parlamenti i BE-së do ta miratojnë shumë shpejt vendimin, dhe që procedura të zgjasë diku 2 deri tre muaj.

Por ai ka tërhequr vërejtjen se Kosova duhet të ratifikojë Marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi dhe të forcojë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke asgjësuar grupet e krimit të organizuar dhe duke hequr stigmatizimin e vendit të korruptuar.

Pra sipas vlerësimit të tij është e mundur në rastin më optimist që lëvizja e lirë praktikisht të ndodhë në muajt e verës.