LAJMI I FUNDIT:

Në Kosovë projektohet roboti që zëvendëson lypsarët (Video)

Në Kosovë projektohet roboti që zëvendëson lypsarët (Video)

Studentët e Fakultetit të Mekatronikës në UBT, Kenan Alija dhe Kushtrim Ajazaj, si dhe nxënësi Nart Gashi, të udhëhequr nga profesori i UBT-së, prof. dr Valmir Hoxha, kanë realizuar njërin ndër inovacionet më të mëdha të edicionit të parë të Autostradës Biennale, robotin lypsar, projekt ky i artistit të njohur slloven, Sašo Sedlaček.

Roboti është ndërtuar për më pak se një javë, teksa realizimi i tij është bërë pa asnjë kosto finanaciare, nga hardueri kompjuterik tashmë i pashfrytëzuar.

Qëllimi kryesor për të cilin është ndërtuar ky robot është mbledhja e parave, me ç’rast funksionon si një agjenci zëvendësuese e krijuar për një botë, në të cilën të margjinalizuarit, si individët dhe familjet e varfra, refugjatët dhe azilkërkuesit, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe ata të fshehtit nga sytë e publikut, kurrë nuk do të dalin në rrugë për të kërkuar lëmoshë, me përjashtim të rrethanave të caktuara.


I lumtur me punën dhe ndihmën që kanë ofruar studentët në këtë aktivitet, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi tha se qëllimi i institucionit të cilin ai e udhëheq, është që studentët t’i përfshijë në sa më shumë punë praktike, duke gjeneruar rezultate dhe kompetenca me njohuritë dhe aftësitë që i kanë.

“Ndërtimi i robotit është rezultat i dijes që gjendet brenda stafit dhe studentëve të UBT-së dhe ne jemi të lumtur që e kemi mundësinë t’i bashkojmë forcat tona me festivale e ngjarje të ndryshme, në mënyrë që të sjellim diçka kreative dhe inovative në shërbim të shoqërisë”, theksoi Hajrizi.

Artisti slloven, i cili e projektoi robotin lypsar, Sašo Sedlaček u shpreh i impresionuar me punën e bërë nga studentët e UBT-së, veçanërisht me profesionalizimin me të cilin kanë punuar ata.

“Studentët e UBT-së nga Prishtina, të udhëhequr nga profesori Valmir Hoxha, kanë bërë njërin ndër robotët më të avancuar deri më tani, madje edhe më të avancuar se një që e kam bërë në Japoni dhe jam plotësisht i kënaqur me rezultatin”, vlerësoi Sedlaček.

Me të njëjtën krenari, për studentët flet edhe mentori i tyre gjatë realizimit të kësaj pune, prof. dr Valmir Hoxha, i cili tha se ata kanë punuar me një përkushtim dhe precizitet të madh.

“Studentët e UBT-së dhe nxënësi, kanë arritur që për një kohë rekord të zhvillojnë një robot të kompletuar dhe funksional”, tregoi Hoxha.

Roboti lypsar është i pari i këtij lloji i ndërtuar ndonjëherë në Kosovë dhe momentalisht është duke qëndruar në hapësirën e Stacionit të Autobusëve të Prizrenit.

Ndërtimi i këtij roboti, ndër tjerash, do të luajë edhe një rol shumë të rëndësishëm humanitar, teksa pas përfundimit të Autostradës Biennale, ai do të vendoset në laboratorin e mekatronikës në UBT, dhe do të vazhdojë të shfrytëzohet për raste të ndryshme humanitare.

Artikull i sponzorizuar