Në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ka nisur bllokut i fundit të dëshmitarëve të Mbrojtjes në këtë çështje gjyqësore.

Kështu ka bërë të ditur Gjykata Speciale përmes një njoftimi për media, ku ka theksuar se dëshmitarët e fundit do të dëshmojnë këtë javë dhe javën tjetër.


Në mesin e dëshmitarëve të parashikuar për këtë fazë janë edhe emra të njohur ndërkombëtarë.

“Ish-ambasadori amerikan Christopher Hil filloi dëshminë të hënën, më 10 nëntor, kurse nga fundi i javës pritet të dëshmojë edhe një dëshmitar tjetër”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, ish-komandanti i NATO-s Wesley Clark është planifikuar të fillojë dëshminë të martën e javës që vjen, më 18 nëntor.

Për dëshminë e tij janë planifikuar seanca edhe më 19 dhe 20 nëntor, ndërsa 21 nëntori është planifikuar si ditë rezervë, në rast nevoje.

DHSK bën të ditur se të gjitha seancat e javës që vjen aktualisht janë planifikuar të fillojnë në orën 09:00 dhe pritet të jenë kryesisht publike.

Në njoftim kujtohet se aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020, dhe u ndryshua më 3 shtator 2021, 29 prill 2022, dhe 30 shtator 2022.

Versioni me më pak redaktime i aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023.”

Sipas DHSK-së, “secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit” dhe “katër akuza për krime lufte.”

Në aktakuzë parashtrohet se krimet për të cilat janë ngritur akuzat u kryen së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 dhe ndodhën në disa vende në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë e Veriut.

Gjykata thekson se “të akuzuarit janë vetëdeklaruar të pafajshëm në lidhje me të gjitha akuzat”. /Telegrafi/