Komuna e Ferizajt ndalon regjistrimin e fëmijëve në çerdhe pa u vaksinuar

Komuna e Ferizajt ka vendosur që asnjë fëmijë mos të regjistrohet në çerdhe publike dhe private pa qenë i vaksinuar.
Kujtojmë, se gjatë periudhës së fundit kohore, shumë prindër kanë kundërshtuar t’i vaksinojnë fëmijët pas dyshimeve të ngritura se vaksina mund të shkakton autizëm dhe telashe të tjera në shëndetin e fëmijëve. Ani pse për këtë çështje OBSH-ja pati dhënë sqarime se vaksina duhet të merret pasi që fëmijët i mbron nga shumë viruse si fruthi, kolla e bardhë (pertusis), rebella, shytat (parotiti) e të tjera.
Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Komunën e Ferizajt, ka thënë se tashmë kanë pranuar një dokument nga ministria e Shëndetësisë që vaksinimi i fëmijëve është i obligueshëm dhe nuk mund të regjistrohen në çerdhe publike pa e kryer këtë shërbim.
“Qarkorja të cilën e kemi pranuar e specifikon qartë punën e vaksinimit të fëmijëve, ndërkohë ne si komunë kemi marrë vendim që asnjë fëmijë mos ta regjistrojmë në çerdhe pa qenë të vaksinuar”, ka thënë Llabjani.
Ndërkaq, në qarkoren e Ministrisë së Shëndetësisë të cilën e ka siguruar Telegrafi, midis të tjerash thuhet se qarkorja ka për qëllim informimin e prindërve që vaksinimi i fëmijëve është obligim ligjor dhe kusht i domosdoshëm për regjistrim të fëmijëve në institucionet parashkollore dhe shkollore, përfshirë ato publike dhe private.
“Prindërit duhet të sigurohen se fëmijët e tyre janë vaksinuar sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit, para regjistrimit në institucionet parashkollore dhe shkollore, publike dhe private. Bazuar në situatën aktuale epidemiologjike, ku vihet re shtim i rasteve të sëmundjeve, vaksinë-parandaluese si fruthi, kolla e bardhë (pertusis), rebella, shytat (parotiti) etj, në vend, rajon dhe botë, është e nevojshme dhe jetike vaksinimi i fëmijëve sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit”, thuhet në dokumentin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas këtij dokumenti çdo fëmijë që regjistrohet në çerdhe duhet të ketë vërtetimin e vaksinimit i cili e konfirmon marrjen e vaksinës./Telegrafi/

















































