Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave, në Shkollën e Mesme të Lartë “Ruzhdi Berisha” në Dragash u zhvillua një aktivitet ndërgjegjësues me vajzat maturante, me pjesëmarrjen e kryetarit të komunës, Behxhet Xheladini.

Aktiviteti u organizua nga Zyra për Barazi Gjinore në Komunën e Dragashit, në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), me qëllim promovimin e rolit të vajzave dhe grave në shoqëri, si dhe mundësive të tyre për ndërtimin e një karriere në institucione shtetërore, përfshirë edhe FSK-në, përcjell Telegrafi.




Në fjalën e tij, kryetari Xheladini uroi vajzat për Ditën Ndërkombëtare të Vajzave, duke theksuar angazhimin e qeverisjes lokale për avancimin e pozitës së grave dhe vajzave në Komunën e Dragashit.

“Frytet e këtij angazhimi i shohim sot kudo – nga emërimi i grave në pozita të larta politike e institucionale, e deri te përfaqësimi i tyre në administratë, arsim e shëndetësi”, tha ai.

Kryetari shtoi se komuna do të vazhdojë me zbatimin e politikave që synojnë fuqizimin e vajzave dhe grave, si dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në jetën publike dhe politike.

Në fund, ai uroi vajzat maturante për shëndet dhe suksese në rrugëtimin e tyre profesional, duke i inkurajuar që të bëhen pjesë aktive e institucioneve të Republikës së Kosovës, veçanërisht e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilën e cilësoi si institucion që përfaqëson vlerat e sigurisë, mbrojtjes dhe shtetësisë. /Telegrafi/