Në 24 orët e fundit janë ndaluar gjashtë persona të dyshuar për dhunë në familje

Ministria e Punëve të Brendshme informon se nëpunësit e policisë kanë pranuar shtatë njoftime për dhunë në familje gjatë 24 orëve të fundit, me çka kanë privuar gjashtë persona.
Në Shkup, në zonën e Karposhit, nëpunës policorë nga SPB Shkup dje në orën 17:50 e privuan nga liria B.Gj. (41) nga Shkupi, pasi më 11.04.2026 në shtëpi e kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij 43-vjeçare dhe i kishte bërë kërcënime. Pas dokumentimit të plotë të rastit do të pasojë kallëzim përkatës.
Sot në orën 00:40 në rajonin e Shkupit, nëpunës policorë nga SPB Shkup e privuan nga liria N.D. (45) nga Shkupi, pasi më 12.04.2026 në shtëpi fizikisht e kishte sulmuar bashkëshorten e tij 41-vjeçare, kishte thyer një pjesë të orendive dhe më pas kishte bërë kërcënime me sende të mprehta. Sipas denoncimit, vajza dhe djali i tij, gjatë tentimit për t’ia marrë sendet e mprehta, kanë pësuar prerje. Pas dokumentimit të plotë të rastit do të pasojë kallëzim përkatës.
Nëpunës policorë nga SPB Shkup sot në orën 04:10 e privuan nga liria N.K. (40) nga Kroacia, pasi në banesë në zonën e Qendrës kishte sulmuar fizikisht partneren e tij O.K. (37) nga Ukraina dhe motrën e saj, kishte bërë kërcënime dhe kishte dëmtuar një pjesë të orendive shtëpiake. Gjithashtu, në orën 09:00, N.K. denoncoi se në banesë ishte sulmuar fizikisht nga partnerja e tij O.K., e cila kishte tentuar ta sulmonte me send të mprehtë. Pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë kallëzim përkatës.
Në SPB Kumanovë dje në orën 16, një e punësuar në Qendrën për Punë Sociale Kumanovë denoncoi se një 13-vjeçar nga Kumanova ishte keqtrajtuar psikologjikisht nga babai i tij dhe ishte dëbuar nga shtëpia. I mituri do të akomodohet në familje kujdestare, është njoftuar prokurori publik dhe po merren masa për zbardhjen e rastit.
Nëpunës policorë nga SPB Kërçovë dje e privuan nga liria S.S. (26) nga Kërçova, duke vepruar sipas denoncimit të një 27-vjeçareje nga Kërçova se ishte sulmuar fizikisht nga ish-bashkëshorti i saj S.S. dhe nga Q.D.. Po merren masa për zbardhjen e plotë të rastit, pas çka do të parashtrohen kallëzime përkatëse.
Sot nëpunës policorë e privuan nga liria D.S. (33) nga rajoni i Ohrit, duke vepruar sipas denoncimit të bashkëshortes së tij 24-vjeçare, me të cilën është në procedurë shkurorëzimi, se gjatë natës 12/13.04.2026 ai me forcë i kishte marrë telefonin mobil, më pas e kishte sulmuar fizikisht dhe e kishte detyruar të hyjë në automjetin e tij, ku gjithashtu e kishte sulmuar dhe i kishte shkaktuar lëndime. Pas dokumentimit të rastit do të paraqitet kallëzim penal përkatës.
Në Bogdanci, nëpunës policorë nga SPB Strumicë – SPB Gjevgjeli e privuan nga liria një 37-vjeçar nga Bogdanci, duke vepruar sipas denoncimit paraprak se më 12.04.2026 rreth orës 22:00 në shtëpinë familjare kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij 26-vjeçare. Ai është ndaluar në Stacionin Policor Gjevgjeli dhe për rastin është njoftuar prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Gjevgjeli. Pas dokumentimit të rastit do të paraqitet kallëzim përkatës.




















































