Nderohen dëshmorët në 26 vjetorin e rënies në betejën e fshatit Hamoc në Rahovec

Në 26-vjetorin e rënies së dëshmorëve të luftës në betejën e Hamocit, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, së bashku me bashkëpunëtorë, veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe familjarë të të rënëve, kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Rahovec dhe te lapidari në fshatin Hamoc.
Në këtë përvjetor u nderua kujtimi për Bekim Sylkën, Besim Kabashin dhe Avni Thaçin, tre dëshmorë që ranë për lirinë e Kosovës dhe që, siç u theksua nga Latifi se ata mbeten simbol i guximit, sakrificës dhe dashurisë për atdheun.
Kryetari Latifi tha se këta dëshmorë kanë gdhendur emrat e tyre në kujtesën e kombit.
Ai kujtoi veçanërisht Bekim Sylkën, i cili kishte ardhur nga mërgimi për t’iu bashkuar luftës dhe ra heroikisht më 26 maj 1999, gjatë betejës së përgjakshme në Hamoc.
"Bekimi nuk u kthye nga mërgimi për të parë lirinë, por luftoi trimërisht për ta fituar atë", u shpreh Latifi, duke shtuar se kujtimi për të dhe bashkëluftëtarët e tij do të mbetet përjetë në historinë e lirisë së Kosovës.


















































