Ndërkombëtarët për zgjedhjet: Të mos përsëriten të metat e së kaluarës

“Të dielën, më 3 nëntor, populli i Kosovës do të votojë për të zgjedhur udhëheqësit lokalë për katër vitet e ardhshme. Megjithatë, rëndësia e këtyre zgjedhjeve shkon përtej kësaj. Kjo do të jetë hera e parë që zgjedhjet lokale mbahen në të gjitha komunat e Kosovës në përputhje me ligjin e Kosovës dhe ne presim - sipas standardeve ndërkombëtare. Zgjedhjet e suksesshme do të jenë një hap i rëndësishëm në zbatimin e marrëveshjes së dialogut të 19 prillit dhe në normalizimin e sistemit komunal në tërë Kosovën.
Njësi matëse për suksesin e këtyre zgjedhjeve do të jetë nëse ato do të rezultojnë me zgjedhjen e liderëve legjitimë në secilën komunë të Kosovës, të zgjedhur në një proces pa parregullsi dhe të metat që kanë ndodhur në të kaluarën. Prandajm është e rëndësishme që të mirëpritet misioni i parë i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, i cili do të monitorojë procesin zgjedhor dhe së bashku me vëzhguesit e tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë, do ta vlerësojë korrektësinë e procedurave. Ne gjithashtu e përgëzojmë OSBE-në për rolin e saj lehtësues për mundësimin e këtyre zgjedhjeve në tërë kompleksitetin e tyre.
Zgjedhjet e 3 nëntorit do të mbahen pas fillimit të negociatave në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe pasi Kosova ka bërë përparim të vërtetë në procesin e liberalizimit të vizave. Mbajtja e zgjedhjeve në përputhje me zotimet e OSBE-së dhe standardet ndërkombëtare, si dhe përmbyllja e reformës zgjedhore, janë elemente thelbësore që do ta ndihmojnë vazhdimin e përparimit të Kosovës drejt rrugës evropiane.
Është e një rëndësie jetike që zgjedhjet të mbahen në tërë Kosovën në mënyrë të qetë dhe paqësore. Prandaj, iu bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta bëjnë më të mirën për ta dekurajuar çfarëdo formë të dhunës, frikësimit apo presionit, në mënyrë që njerëzit të jenë të lirë ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar dhe shprehur mendimet individuale politike pa ndërhyrje apo kërcënime për ndëshkim.
Në mesazhin e saj sot, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton, i ka bërë thirrje popullit të Kosovës që të merr pjesë në zgjedhjet e së dielës. Në gjithashtu i inkurajojmë qytetarët nga të gjitha pjesët e Kosovës dhe të gjitha komunitetet që ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar dhe për të zgjedhur udhëheqësit e tyre komunalë gjatë katër viteve të ardhshme”, thuhet në deklaratë. /Telegrafi/







































