LAJMI I FUNDIT:

Narrativa e lajmeve të rrejshme për Kosovën dhe ndikimet e jashtme

Narrativa e lajmeve të rrejshme për Kosovën dhe ndikimet e jashtme

Dezinformatat, çrregullimi i informacionit, propaganda, lajmet e rrejshme dhe narrativa kundër Kosovës janë shtuar viteve të fundit. Këto tendenca hibride janë shtuar kryesisht në kohën e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës, por edhe gjatë kohës kur po mbahen bisedimet për normalizim të marrëdhënieve mes Prishtinës e Beogradit.

Shumë raporte vendore e ndërkombëtare kanë monitoruar dhe vërtetuar se gjuha me narrativ negativ është shtuar në mediat në Serbi e Rusi të cilat janë të afërta me pushtet atje. Tashmë janë të dëshmuara edhe në shumë raporte kredibile për influencën me narrativë dezinformuase për zhvillimet e fundit në vend. Sipas këtyre organizatave ndikimet janë kryesisht nga mediat në gjuhën ruse dhe ato serbe e që kontrollohen nga pushteti në Rusi e Serbi. Gjithashtu dezinformim e narracion negativ për Kosovën ka edhe në disa media në gjuhën serbe në Kosovë të cilat janë të kontrolluara nga Qeveria e Serbisë.

Hyrje


“Zgjidhja e problemit të dezinformimit nuk do të kurojë të gjitha lëngatat e demokracive tona apo të mbyllë çarjet në strukturën e botës sonë, por mund të ndihmojë në zbehjen e ndasive dhe të na lejojë të rindërtojmë besimin dhe solidaritetin e nevojshëm për ta bërë demokracinë tonë më të forte”, ka thënë ish-presidenti Barack Obama në vitin 2022.

Ky fjalim i ish presidentit amerikan Obama është mbajtur në Universitetin e Stanfordit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, dezinformimi po rrezikon demokracitë, po rrezikon informimin e balancuar dhe po humb besimin në mediat tradicionale. Në kohën e zhvillimit teknologjik e zhvillimit medial është rritur edhe niveli i informacioneve joprofesionale, dezinformuese, me çrregullim informacioni, me propagandë, me gjuhë nxitëse të urrejtjes, e me narrativa të njëanshme dhe të dëmshme.

Kjo ka ndikuar që edhe për Kosovën të shtohen lajmet e dezinformatat me burime që kryesisht janë nga Serbia dhe Rusia. Gjithashtu lajmet e rrejshme e dezinformatat janë shtuar dukshëm në rrjete e platforma sociale si Telegram, Facebook, TikTok, Twitter por edhe në faqe të ndryshme të cilat nuk kanë autorësi e as impressum. Narrativi me lajme të rrejshme e kundër Kosovës është shtuar kryesisht në kohën e bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë për normalizim të marrëdhënieve që po bëhet tash e disa vjet.

Por, kjo narrativë negative është shtuar kryesisht në vitin e fundit pas tensioneve në pjesën veriore të Kosovës e mbajtjes së zgjedhjeve të reja lokale, por edhe në rastin e arrestimit të tre policëve të Kosovës. Raporte të shumta vendore e ndërkombëtare kanë identifikuar prani të lajmeve të rrejshme nga mediat e afërta me pushtetin e partinë e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe të ndihmuara edhe nga mediat që kontrollohen nga Rusia dhe presidenti i saj Vladimir Putin.

Qëllimi

Qëllimi i këtij punimi është që të analizojë mënyrën e dezinformatave që bëhen për Kosovën dhe narrativa që përdoret në mediat kryesisht serbe dhe ruse të afërta me pushtet atje të kontrolluara nga Aleksandar Vuçiq dhe Vladimir Putin. Punimi analizon gjithashtu mënyrën se si bëhet çrregullimi i informacionit për Kosovën, kanalet që përdoren por edhe mënyrën e metodat. Ky punim përmbledh shembuj konkret të organizatave ndërkombëtare e vendore që kanë monitoruar gjuhën e informacionet në kohën e krizave në Kosovë dhe shpërndarjen e tyre në kanale e media jo profesionale dhe të njëanshme. Qëllimi tjetër praktik i punimit është që të tregojë shembuj konkret se si bëhet narrativa me qasje shtrembëruese, dëmtuese e penguese për Kosovën dhe integrimin e saj në strukturat euro-atlantike.

Raporti i KIPRED-it për luftën diplomatike ruse dhe dezinformimin medial

Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) në vazhdimësi ka bërë raporte periodike për narrativën e përdorur nga Rusia e Serbia në relacion me Kosovën.

“Lufta Diplomatike Ruse dhe Dezinformimi Medial – është një raport tremujor që i analizon deklaratat publike dhe publikimet e establishmentit rus të politikës së jashtme dhe tiparet e lajmeve që përmbajnë dezinformata dhe keqinformim që e shënjestrojnë Kosovën, të botuara në mediat ruse në gjuhët angleze dhe serbe”, thuhet në raportin e kësaj organizate ( Lufta Diplomatike Ruse dhe Dezinformimi Medial, 2022).

Historikisht mediat që kanë dezinfomuar për gjendjen politike, ekonomike e sociale janë të mediave pushtetare në Rusi ose që kontrollohen nga shteti si Russia Today, Sputnik, TASS dhe së fundi edhe mediat ruse në gjuhën serbe si Sputnik Serbia dhe Russia Today Ballkan etj. Madje ky raport i KIPRED ka identifikuar një numër të madh të dezinformatave në relacion me Kosovën, të cilat ishin monitoruar nga 1 nëntori 2021 deri më 15 janar 2022.

“Monitorimi i të dhënave tregon se gjatë kësaj periudhe këto mediume i kanë publikuar 598 lajme që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë kishin të bënin me Kosovën. Sputnik – Botimi në serbisht i botoi 408, TASS-i 13, Russia Today 11, Sputnik International 8, Russia Insider 6, Pravda Report 3, UNZ 3, Meduza 2, Moscow Times 2, Newsfront 2 etj… “, thotë raporti i KIPRED-it, “Lufta Diplomatike Ruse dhe Dezinformimi Medial. (KIPRED, Lufta Diplomatike Ruse dhe Dezinformimi Medial, 2022).

Gjetjet e raportit të KIPRED

Narrativa e lajmeve kundër Kosovës dhe kundër të arriturave të saj vinte kryesisht edhe nga krerët më të lartë të Rusisë si presidenti i saj Vladimir Putin dhe ministri i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov. “Shqyrtimi i lajmeve të botuara nga këto media që është bërë nga KIPRED-i tregon se nga 458 lajmet që kishin të bënin drejtpërdrejt ose tërthorazi me Kosovën, 79 (17, 2%) prej tyre përmbanin dezinformata”, thotë raporti.

Madje raporti thekson edhe disa forma të lajmeve të cilat këto media ruse të afërta me pushtetin në Rusi japin aspekte negative për Kosovën “Numri më i madh i dezinformatave është botuar nga Sputnik Serbia (62), që është vijuar nga Russia Insider (5), Russia Today (3), TASS(2), Pravda Report (2), UNZ (2), Sputnik International (1), Meduza (1), Moscow Times (1), Newsfront (0) dhe The Duran (0)”, shkruan në raportin e KIPRED. (KIPRED, Lufta Diplomatike Ruse dhe Dezinformimi Medial, 2022)

Monitorimi i shkrimeve nga KIPRED ka vërejtur se përqendrimi kryesor i përmbajtjeve të tyre është grumbulluar rreth synimeve vijuese dezinformuese. “Rrënimi i themeleve të legalitetit të shtetësisë dhe të sovranitetit të Kosovës. Ndryshimi i narrativave të luftës dhe të krimeve të luftës në ish-Jugosllavi. Rrënimi i themeleve të kredibilitetit të angazhimit perëndimor në shtetndërtimin e Kosovës dhe në dialogun Prishtinë – Beograd. Paraqitja e komunitetit serb dhe e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë si të shtypura dhe të kërcënuara. Lidhur me përmbajtjen e lajmeve që kanë pasur dezinformata, të botuara nga këto botime mediale ruse, numri më i madh i tyre ka synuar t’ia rrënojë themelet kredibilitetit të angazhimit perëndimor në shtet-ndërtimin e Kosovës, dhe në dialogun Prishtinë – Beograd (24), pastaj, t’ia rrënojë themelet shtetësisë dhe sovranitetit të Kosovës (21), pasuar nga paraqitja e komunitetit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe si të shtypura dhe të kërcënuara (20), dhe t’i ndryshojë narrativat e luftës dhe të krimeve të luftës në ish-Jugosllavi (14)”, janë të gjeturat e raportit. (KIPRED, Lufta Diplomatike Ruse dhe Dezinformimi Medial, 2022).

Raporti i NDI që thotë se Kosova është në udhëkryq të influencës Rusi-Serbi-Kinë përmes dezinformatave që plasohen në Shqipëri

Raportet Kosovë-Serbi, dialogu i zhvilluar në Bruksel dhe tensionet e kohëpaskohshme në pjesën veriore të vendit kanë qenë shpesh tema të lajmeve me dezinformata edhe sipas raportit të National Democratic Institute (NDI) në Kosovë. Në raportin vjetor “Sfidat e integritetit të informacionit: Një kërcënim në rritje për demokracinë e Kosovës”, mbi monitorimin në internet dhe mediat sociale midis marsit 2020 – shkurt 2021.

Ky raport potencon disa lloje të lajmeve të cilat mediat e afërta me pushtetin në Rusi i japin qasje negative temave për Kosovën. (democracy, 2021) Madje raporti se dezinformatat kryesisht janë ndërhyrje nga jashtë si nga Rusia, Serbia por edhe Kina. “Serbia influencon në Bosnjë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut. Rrjedhje direkte të informacionit ka Rusi-Shqipëri dhe prej Shqipërisë kalohet në Kosovë. Ne jemi në udhëkryq të marrjes së informacionit të çrregullt. Janë dy premisa që e mundësojnë këtë, një jemi duke krijuar një ambient të kontaminuar për ndërhyrje nga jashtë dhe e dyta eksplantimi i ndarjeve të brendshme”, kishte deklaruar Zëvendësdrejtori i NDI, Valon Kurhasani në një intervistë për emisionin “Përballje” në Telegrafi.com

“Influencimi kinez ka tendenca në Kosovë që kryesisht janë narrativa të promovimit të butë që vjen nga Kina në aspektin e zhvillimit ekonomik…Gjatë përpilimit të këtij raporti kemi analizuar diku 36 mijë artikuj, prej tyre 10% kanë pasur dezinformim, ku ky lloj dezinformimi ka arrit te 28 milionë e 700 mijë përdorues dhe është shpërnda 82 mijë herë”, kishte thënë ai.

Sipas raportit të NDI, mungesa e integritetit të informacionit kërcënon demokracinë në Kosovë. “Kosova, si pjesa më e madhe e Ballkanit, është e ndjeshme ndaj fushatave të manipulimit të informacionit të krijuara nga jashtë që synojnë të mbjellin konfuzion dhe mosmarrëveshje në rajon. Ky rishikim zbuloi se portalet ruse përhapin informacione të rreme dhe të shtrembëruara në media, siç bënë mediat nga Serbia, Kina dhe Turqia, të cilat kontribuuan në ndarjen politike në Kosovë”, thuhet në raportin e NDI “Sfidat e integritetit të informacionit: Një kërcënim në rritje për demokracinë e  Kosovës”, mbi monitorimin në internet dhe mediat sociale midis marsit 2020 – shkurt 2021.

Gjetjet e raportit të NDI, zyra në Kosovë

Sa i përket ndikimeve nga jashtë nga monitorimi u gjetën se 689 artikuj dhe postime përmbajnë tregime me informacion, çrregullime dhe retorikë të ashpër e të shtrembër me origjinë në Kinë, Rusi, Serbi dhe Turqi. Këto kishin arritur në 5.5 milionë dhe 7743 aksione. “Informacione me bazë në Rusi, rrëfimet në veçanti, promovohen të shtrembëruara dhe të rrejshme, rrëfime të cilat u përhapën shpejt si në gjuhën shqipen dhe serbe, megjithëse ishin më të pranishme në mesin e komunitetit serb në krahasim me komunitetit shqiptar”, thuhet në raportin e NDI.

Raporti i Democracy Plus për cenueshmërinë ndaj dezinformimit në Kosovë

Sipas raportit të organizatës vendore “Democracy Plus” – Integriteti i cenueshmërisë së dezinformimit në Kosovës zbulon se mjedisi mediatik është i cenueshëm ndaj dezinformimit dhe ndikimeve malinje të huaja, duke shënuar 46 pikë nga 100 të mundshme.

“Ky domen, duke qenë më i cenueshmi në mesin e tri domeneve të Indeksit, kap prevalencën dhe disponueshmërinë e dezinformimit në mediat kosovare, kapacitetin e institucioneve për të menaxhuar dezinformimin duke përfshirë mediat dhe rolin e Facebook-ut, si dhe reziliencën e publikut ndaj keqinformimit dhe dezinformimit. Në veçanti, në këtë domen përfshihen: (1) liria e mediave, (2) prevalenca/disponueshmëria e dezinformimit për publikun, (3) kapaciteti për të menaxhuar dezinformimin dhe (4) rezilienca e publikut ndaj keq/dezinformimit”, thuhet në raportin e Democracy Plus.

Gjetjet e raportit të ‘Democracy Plus”

Raporti thotë se “Indeksi i cenueshmërisë ndaj dezinformimit zbulon se Kosova është e cenueshme ndaj dezinformimit dhe ndikimeve malinje të huaja në shkallën 411 nga 1002 “. Sa i përket ndërhyrjeve nga jashtë dhe veçanërisht nga Rusia, raporti i ‘Democracy Plus’ përmend një rast kur vendimi i qeverisë për reciprocitetin e targave të automjeteve më 20 shtator 2021 ofron një shembull evident të ndikimit që mund të ketë ndikimi malinj i huaj në sigurinë kombëtare të Kosovës.

“Pas këtij vendimi për targat e automjeteve, në komunat veriore u përhapën propagandë, dezinformim dhe lajme të rreme nga Serbia me qëllim përshkallëzimin e situatës në terren, në komunitetet me shumicë serbe, duke nxitur frikën se Forca e Sigurisë së Kosovës do të hynte në këto zona me shumicë serbe.

Megjithatë, qeveria, në koordinim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë, koordinoi me sukses të gjithë mekanizmat e sigurisë kombëtare, duke parandaluar përshkallëzimin e situatës në terren. Sipas një organizate që monitoron portalet online, ky vendim i qeverisë u ndoq me vëllimin më të madh të dezinformimit dhe keqinformimit në hapësirën digjitale gjatë vitit. Për më tepër, institucione të ndryshme qeveritare përgënjeshtruan dezinformimin e tillë duke lëshuar komunikata për shtyp dhe duke theksuar se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk kishte qëllim të ndërhyjë në veri. Por, ky mbetet shembull i fortë se sa i rrezikshëm mund të jetë dezinformimi malinj i huaj nga Rusia dhe Serbia për sigurinë kombëtare të Kosovës dhe shquan nevojën për të pasur mekanizma të konsoliduar kundër dezinformimit”, thuhet në raportin e Democracy Plus për integritetin e informacionit.

Ky punim është prezantuar gjatë “Akademisë Verore në UBT” të Fakultetit Media dhe Komunikim në kuadër të temës: “Konceptimi liberal i medias në shekullin e XXI, sfida dhe perspektiva”.

Në trend Lajme

Më shumë
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan

Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Osmani takohet me admiralin Bauer: NATO mbetet aleat i pazëvendësueshëm, anëtarësimi është prioritet strategjik për Kosovën

Osmani takohet me admiralin Bauer: NATO mbetet aleat i pazëvendësueshëm, anëtarësimi është prioritet strategjik për Kosovën

Lajme
Mbeti i plagosur gjatë konfliktit ku u vra Martin Cani, flet babai i 14-vjeçarit: Janë dy vrasës, njëri është ende i lirë

Mbeti i plagosur gjatë konfliktit ku u vra Martin Cani, flet babai i 14-vjeçarit: Janë dy vrasës, njëri është ende i lirë

Lajme
Vrasja e 14-vjeçarit, gjykata i cakton masën e paraburgimit të dyshuarit

Vrasja e 14-vjeçarit, gjykata i cakton masën e paraburgimit të dyshuarit

Lajme
Pyjet e Kosovës në zhdukje: Çka tregojnë pamjet satelitore?

Pyjet e Kosovës në zhdukje: Çka tregojnë pamjet satelitore?

Lajme
Kalo në kategori