Mustafa vlerëson përkrahjen e BERZH-it

Gjatë takimit, është diskutuar për fuqizimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit dhe të mbështetjes konkrete të BERZH-it për projektet në sektorin privat dhe publik në Kosovë.
Kryeministri Mustafa vlerësoi lart përkrahjen e deritashme të BERZH-it, duke kërkuar rritjen e mëtejshme të financimit të projekteve.
Kryeministri theksoi se Qeveria e Kosovës e ka prioritet kryesor dhe po i kushton rëndësi të posaçme zhvillimit ekonomik dhe hapjes së vendeve të reja të punës, duke mirëpritur konsulencën dhe ekspertizën e BERZH-it, në këtë drejtim.
Drejtori për Evropën Qendrore dhe Juglindore në BERZH, Jean-Marc Peterschmitt, e njoftoi kryeministrin Mustafa për projektet e deritashme dhe të ardhshme ku BERZH mund të ofrojë përkrahje, duke përfshirë edhe projektin në përkrahjen e sektorit privat mbi financimin e ndërmarrësisë për gratë në Kosovë.
Në këtë pikë, kryeministri Mustafa veçoi rëndësinë që ka për ekonominë e Kosovës, fuqizimi dhe rritja e rolit të gruas në zhvillimin ekonomik, duke përkrahur idetë dhe iniciativat konkrete biznesore të grave kosovare. Kryeministri po ashtu kërkoi që BERZH-i të ketë në fokus të përkrahjes, financimin dhe mbështetjen më të madhe për idetë dhe iniciativat e të rinjve në biznes.
Kryeministri Mustafa vlerësoi po ashtu përkrahjen e projekteve nga BERZH-i, si projektet që ndërlidhen me efiçencën energjetike, transmisionit, por edhe mbështetjen e BERZH-it për Fondin për Sigurimin e Depozitave në Kosovë.
Gjatë takimit, është diskutuar edhe për mundësitë e dyfishimit të fondeve të BERZH-it për Kosovën si dhe për projektet konkrete, siç janë revitalizimi i hekurudhës si dhe për përkrahja e projekteve në infrastrukturën rrugore. /Telegrafi/




















































