LAJMI I FUNDIT:

Mustafa: Investime në Batllavë e Badovc për evitimin e ujërave të zeza

Mustafa: Investime në Batllavë e Badovc për evitimin e ujërave të zeza

Kryeministri, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin regjional të Rregullatorëve të Ujit, që po zhvillon punimet në Prishtinë. Ai e vlerësoi rëndësinë e këtij takimi të rregullatorëve të ujit lidhur me krahasimin e indikatorëve të performancës së shërbimeve të ujit dhe kanalizimit.

“Kosova ka trashëguar një situatë shumë sfiduese në vitin 1999, por konsideroj se ne kemi arritur një përparim të madh në vitet e pasluftës në këtë sektor. Me përkrahjen e donatorëve dhe me mjete vetjake është investuar në rekonstruktimin e rrjetit të ujësjellësit dhe në zvogëlimin e humbjes në rrjet të ujit. Është punuar po ashtu edhe në ndërtimin e infrastrukturës për ujëra të zeza, jo vetëm në pjesët urbane por edhe në ato rurale”, tha kryeministri Mustafa.

Ai po ashtu bëri të ditur se së shpejti do të investohet në liqenin e Batllavës dhe të Badovcit, me qëllim të evitimit të ujërave të zeza dhe ujërave të tjera ndotëse, dhe se përveç marrëveshjeve për financim të fabrikave për trajtim të ujërave të zeza në Skenderaj, Prizren e Gjakovë, do të sigurohet financim për fabrikën e trajtimit të ujërave në Pejë, për ta mbuluar pellgun e Drinit të Bardhë si dhe për Prishtinën, Ferizajn, Gjilanin dhe Mitrovicën.


“Kosova ka arritur reforma të suksesshme në kompanitë të cilat merren me menaxhimin dhe ofrimin e shërbimeve për ujëra. Qeveria e Kosovës do të punojë që të siguroj nga donatorët financim të një studimi gjithëpërfshirës për menaxhimin e ujërave për një periudhë afatgjate. Duhet të shohim mundësitë më të volitshme të krijimit liqeneve të nevojshme për t’u ballafaquar me kërkesat e qytetarëve dhe për të ofruar ujë të pijshëm 24 orë”, tha kryeministri.

Në fund, duke iu uruar pjesëmarrësve sukses në këtë takim pune, kryeministri Isa Mustafa, shprehu gatishmërinë e Kosovës për të ndarë eksperiencat me vendet e rajonit me qëllim të përmirësimit të menaxhimit të ujërave dhe për të vazhduar me reformat e nevojshme. /Telegrafi/