LAJMI I FUNDIT:

Mustafa: Iniciativa e Veselit për Tribunalin për t’i mbuluar dështimet

Mustafa: Iniciativa e Veselit për Tribunalin për t’i mbuluar dështimet

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa është shprehur i bindur që partia që ai drejton është e para me besimin më të madh të qytetarëve dhe e vetmja që do t’i ofronte atyre zgjidhje për gjitha problemet. Për të arritur në krye të institucioneve, ai tha se janë duke punuar çdo ditë që të rrëzojnë Qeverinë Haradinaj.

I pari i LDK-së foli dhe për iniciativën e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli për themelimin e një Tribunali për krimet serbe në ndodhura në Kosovë. Mustafa tha se kjo po bëhet si mënyrë për t’i mbuluar dështimet në këtë kohë kur në Kosovë nuk po funksionon asgjë, raporton KP.

Sipas tij, Tribunalin nuk mund të themelojë Kosova, pasi duhet të jenë instanca tjera ndërkombëtare. Përkundër kësaj, ai bëri të ditur se e përkrahin çdo iniciativë që i qet në tavolinën e përgjegjësisë kriminelët për krimet që i kanë bërë në Kosovë.


“Tribunalin nuk mundet të themeloj Kosova, nëse është Tribunal ndërkombëtar dihet se mund të themelojnë Kombet e Bashkuara, Këshilli i Sigurimit dhe me atë në bashkëpunim me institucionet e BE-së sepse ne jemi në Evropë. Këto iniciativa është dashur të nxiten më herët të  iniciohen dhe nga kryetari i Kuvendit dhe të tjerët. Mua më duken më tepër vetëm si iniciativa politike në mënyrë që krijohet një mbulesë për këtë periudhë që nuk po funksionon asgjë në Kosovë.  Ne gjithmonë i përkrahim çdo iniciativë i cili i qet në tavolinën e përgjegjësisë kriminelët për krimet që i kanë bërë”, tha Mustafa.

LDK: Po punojmë për rrëzimin e Qeverisë
Lexo po ashtu LDK: Po punojmë për rrëzimin e Qeverisë

Duke folur për Kuvendin e Kosovës, Mustafa tha se ai është tërësisht jofunksional dhe për këtë janë duke punuar vazhdimisht me dy partitë opozitare për rrëzimin e qeverisë Haradinaj.

Për të arritur këtë, ai u shpreh se nëse iu jepet mundësia do t’i shfrytëzojnë votat dhe të Listës Serbe.

“Jemi duke bërë përpjekje të kordinojmë çështjen me Vetëvendosjen e bëjmë dhe me Partinë Socialdemokrate që të arrijmë t’i kemi votat e nevojshme për të shpallur mosbesimin ndaj Qeverisë, ose ndaj koalicionit ekzistues. Këto vota akoma nuk kemi arritur që t’i bëjmë. Por ju siguroj mos të them që çdo ditë, çdo javë jemi në përpjekje që atë të bëjmë. Na nevojitet dhe dikush nga pozita që të na bashkëngjitet t’i kemi ato vota. Ju e dini që ka pasur rezerva dhe në LDK, por dhe në disa parti opozitare që kjo të bëhet me votat e Listës Serbe. Me Listën Serbe është rrëzuar Qeveria ime dhe kanë qenë faktor shumë i rëndësishëm, atëherë askush nuk e ka hapur problemin pse kanë bashkëpunuar me të”, deklaroi kryetari Mustafa

Ish kryeministri iu dha zgjidhje qytetarëve, sipas tij, për t’i zgjidhur gjitha problemet jetike për Kosovën duhet LDK-ja në qeverisje.

Për këtë arsye, ai tha se LDK-ja është partia e parë me besimin më të madh të qytetarëve.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është parti e parë me besimin më të madh të qytetarëve të Republikës së Kosovës, jo vetëm në pikëpamje të rangimit të saj. Por dhe në pikëpamje të besimit se LDK-ja i zgjidh problemet jetike të qytetarëve të Republikës së Kosovës siç janë ato të zhvillimit ekonomik, të papunësisë të integrimeve Evropiane dhe EuroAntlantike, luftës kundër krimit dhe korrupsionit, pastaj problemet që i kemi në arsim dhe shëndetësi dhe çështje tjera zhvillimore që i kemi”, tha Mustafa.

Kurse për zgjedhjet brenda partisë, Mustafa u shpreh se nuk kanë qenë pjesë e diskutimeve.

Gjitha këto komente kryetari i LDK-së i bëri pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm ku janë diskutuar dhe shqyrtuar raporti i punës katër vjeçar dhe ai financiar./Telegrafi/