Pasi i përshëndeti pjesëmarrësit dhe në veçanti familjet Zemaj, Bruçi,
Surdulli e Alaj, si dhe pjesëtarët e Betejës së Loxhës, që ishin të pranishëm në manifestimin e sotëm, pastaj invalidët dhe veteranët e luftës dhe familjet e dëshmorëve, Mustafa tha se LDK-ja shpreh respekt shumë të lartë për njerëzit që dhanë jetën në këtë betejë.

“Ishte betejë historike, në të cilën u tregua aftësia institucionale e brigadave tona, e Brigadës 131, 133, 134, e Kolonel Tahir Zemaj, i cili me përkushtimin më të madh iu qas organizimit të luftës, me përkushtimin më të madh e bëri luftën, ashtu siç e bënë me përkushtimin më të madh të gjithë luftëtarët, të cilët ranë në këtë betejë të madhe, në këtë betejë historike, e cila do të jetë e shënuar dhe e respektuar, ashtu siç e ka thënë dhe siç e ka trajtuar Kolonel Tahir Zemaj”.


“Në atë periudhë kam qenë në Gjermani. Kam pasur rastin të bashkëpunoj shumë ngushtë me Sali Çekajn sa ishte atje, edhe me Rrustemin, sepse ka qenë anëtar i fondeve tona dhe ka punuar shumë për grumbullimin e mjeteve, ka punuar shumë për organizimin e luftës. Unë e kam takuar jo shumë larg ditëve kur ai dha jetën për liri, dhe më duket se sot e shoh kur jemi takuar për herë të fundit. Kisha dashtë të takohem edhe me të tjerët, por po takohemi sot bashkërisht këtu për t’i nderuar të gjithë, gjithmonë”, tha ndër të tjera Mustafa. /Telegrafi/