Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka akuzuar Serbinë për përdorim të rrjetit mobil MTS në funksion të një fushate të luftës hibride kundër Kosovës.

Në një postim në Facebook, Musliu ka komentuar kërcënimin për bombë të adresuar Kuvendit të Kosovës më 5 korrik, të cilin e cilëson si pjesë të një strategjie të qëllimshme destabilizuese.


Sipas tij, kërcënimi është dërguar nga territori i Serbisë përmes një numri të rrjetit MTS, i regjistruar në emër të shtetasit serb Lazar Živković, person që në rrjetet sociale shpërndan përmbajtje ekstremiste dhe përkrah figurat e dënuara për krime lufte si Ratko Mladić.

Edhe pse rezultoi se nuk kishte bombë reale, Musliu thekson se rasti përbën një akt të rëndë politik dhe destabilizues ndaj institucioneve të shtetit të Kosovës.

Musliu kritikoi operatorin MTS, i cili vepron në Kosovë në bazë të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për refuzim të vazhdueshëm të bashkëpunimit me autoritetet e sigurisë së Kosovës.

Ai përkujtoi se edhe në rastin e vrasjes së politikanit serb në veri, Oliver Ivanoviq, MTS kishte fshirë të dhëna që mund të ndihmonin në zbardhjen e ngjarjes.

“Operatori MTS ka detyrimin ligjor që t’i bartë të dhënat e kërkuara institucioneve të sigurisë së Kosovës, por në praktikë ka refuzuar bashkëpunimin. Për më tepër, janë raportuar raste të rritjes së paligjshme të kapaciteteve të frekuencave”, ka shkruar Musliu.

Ai ka kërkuar që institucionet kompetente të ndërmarrin masa konkrete, përfshirë rivlerësimin e marrëveshjes për telekomunikim me MTS dhe garantimin e respektimit të plotë të rendit kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës nga çdo operator që vepron brenda territorit të saj.

E plotësuar:

MTS nuk përgjigjet për akuzat publike ndaj saj

Kompania serbe e telekomunikimit “MTS. D.O.O” nuk është përgjigjur në pyetjet e Telegrafit drejtuar përmes emalit zyrtar pas deklaratave të ekspertit të sigurisë Agim Musliu i cili ka thënë mes tjerash së kjo kompani kishte të punësuar njërin nga autorët e sulmit terrorist në Banjskë.

Musliu ka përmendur Vladimir Radivojeviq, i njohur me nofkën “Mami si shofer personal i drejtorit të MTS-it, Zoran Millojeviq të dhënat te cilat i ka publikuar në rrjetin e tij social Facebook por kompania nuk ka kthyer përgjigje për Telegrafin.

Ata nuk janë përgjigjur as në deklaratat se a është përdorur nga Serbia rrjeti mobil MTS në funksion të një fushate të luftës hibride kundër Kosovës.

Ndryshe rrjetit mobil u krijua në tetor 2015 dhe fushëveprimtaria e saj kryesore  është aktiviteti i telekomunikacionit. /Telegrafi/.