Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka reaguar pas publikimit të aktakuzës për sulmin terrorist në kanalin “Ibër-Lepenc”, duke e cilësuar si tronditëse sasinë e energjisë dhe propagandës që Serbia ka investuar për të paraqitur rastin sikur ishte një “inskenim i Kosovës”.

Musliu thotë se aktakuza e Prokurorisë Speciale dëshmon pa asnjë dyshim se sulmi është kryer nga persona të rekrutuar dhe të trajnuar nga Shërbimi Sekret Ushtarak i Serbisë, të cilët ishin të pajisur me armatim dhe eksploziv ushtarak.


Përveç sabotimit të infrastrukturës strategjike, ata kishin kryer edhe vëzhgime të ndjeshme të sigurisë.

“Sulmi ishte kryer nga serbë të rekrutuar nga Shërbimet Sekrete të Serbisë. Kanë bërë vëzhgimin e lëvizjeve të ushtarëve amerikanë të KFOR-it dhe kanë fotografuar bazën e Njësive Speciale të Policisë,” theksoi Musliu.

Njëri nga të pandehurit, Jovan Viçentijeviq, i identifikuar si toger i Shërbimit Sekret Ushtarak serb dhe i trajnuar në Serbi, dyshohet jo vetëm për pjesëmarrje në sulmin terrorist, por edhe për aktivitete të drejtpërdrejta spiunazhi.

Musliu nënvizon se Viçentijeviqi kishte propaganduar krijimin e një organizate të rreme për “çlirimin e trojeve shqiptare”, me qëllim baltosjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe krijimin e konfuzionit tek ndërkombëtarët.

Eksperti e përshkroi këtë rast si shembull tipik të operacioneve hibride të Serbisë:

“Modus operandi i Serbisë: kryeje aktin, akuzoje tjetrin, krijo huti tek ndërkombëtarët dhe përdor Kosovën për propagandë.”

Ai vuri në dukje edhe një element kyç të hetimit: analizën gjeologjike të kryer nga FBI, e cila ka vërtetuar se mostrat e dheut të gjetura në çizmet e vëllezërve Viçentijeviq përputheshin me dheun në zonën e Ibër-Lepencit.

Kjo provë, sipas Musliut, rrëzon përfundimisht narrativën serbe për “inskenim”.

Musliu thekson se institucionet e Kosovës kanë bërë punën e tyre dhe se tani është radha e partnerëve ndërkombëtarë që ta lexojnë drejt situatën.

“Republika e Kosovës e ka bërë pjesën e vet. Mbetet që partnerët tanë ndërkombëtarë ta lexojnë drejt këtë rast dhe të mos bien më pre e propagandës serbe,” tha ai, duke shtuar se rasti dëshmon qartë se sa shumë ka investuar Serbia për ta fajësuar Kosovën./Telegrafi/