Site icon Telegrafi

A mund të jenë makineritë më “të vërteta” se njerëzit?

Dokumentari për Brian Enon është gjeneruar automatikisht dhe ndryshon sa herë që shfaqet (Foto: Gary Hustwit/Sundance Institute)

Nga: John Thornhill / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Është thënë se e vërteta është njëjës, ndërsa gënjeshtrat janë shumës, duke i dhënë kështu dezinformimit një avantazh të padrejtë numerik. Por, a është vërtet e vërteta njëjës?

Merrni parasysh ngjarjet e jetës sonë. Cili version është më i vërtetë? Të dhënat zyrtare që përfshihen në CV-në tonë apo në profilin e LinkedIn-it? Apo ajo që ne i themi vetes? Apo ato që miqtë dhe familjarët tanë thonë për ne pas shpinës? Të gjitha mund të jenë njëkohësisht të vërteta – ose mashtruese.

Në filmin Eno – të cilin e pashë javën e kaluar – është eksploruar në mënyrë brilante ideja se të vërteta të shumta mund të nxirren nga i njëjti material. Bazuar në jetën e producentit shumë të talentuar të muzikës, Brian Eno, dokumentari gjenerohet automatikisht nga një makineri dhe ndryshon sa herë që shfaqet.

Sipas krijuesve të filmit, ka 52 kuintilionë versione të mundshme të tij, të cilat mund të krijojnë “një set vërtet të madh filmash”. Ky eksperiment artistik na flet shumë për natyrën e krijimtarisë dhe pluralitetin e së vërtetës në epokën e mediave gjeneruese.

Për ta bërë filmin, producenti Gary Hustwit dhe teknologu kreativ Brendan Dawes, digjitalizuan më shumë se 500 orë video, intervista dhe regjistrime të Enos. Nga ky arkiv që përfshin 50 vjet të krijimtarisë së Enos, duke punuar me artistë dhe grupe si Talking Heads, David Bowie dhe U2, dy redaktorët krijuan 100 skena. Krijuesit e filmit shkruan një softuer që gjeneronte skena hyrëse dhe përmbyllëse me Enon dhe që përshkruante një strukturë të përafërt me tri akte. Ata më pas e lanë softuerin të punojë lirshëm në këtë arkiv dixhital, duke bashkuar skena dhe regjistrime të ndryshme, për të gjeneruar një film 90-minutësh.

Kritikët në përgjithësi e konsiderojnë filmin – ose filmat – si të çuditshëm dhe bindës, ashtu si vetë Eno. Mund të duket pak e rastësishme, më thotë Dawes, por audienca ende ka qenë në gjendje të mbërthejë përbërësit dhe të ndërtojë një rrëfim në mendjen e tyre. Vetëm se “gatimin e bën publiku”, shton ai.

Versioni që pashë ishte një përzierje magjepsëse intervistash dhe regjistrimesh, me disa ndërthurje të dhëmbëzuara, por me një vijë të qartë narrative. Isha veçanërisht i intriguar nga një seksion ku Eno foli për konceptin e “skenisë”. Eno i ka rezistuar prej kohësh idesë se krijimtaria është rezultat i një gjeniu të vetëm; përkundrazi, është produkt i inteligjencës kolektive shoqërore, ose skenisë. “Filmi është mishërimi i kësaj ideje të skenisë”, thotë Dawes.

Hustwit dhe Dawes tani kanë nisur një kompani të quajtur Anamorph për të aplikuar softuerin e tyre gjenerues në lloje të tjera përmbajtjesh. Studiot e Holivudit, agjencitë e reklamave dhe kompanitë sportive janë klientët e synuar. Por, Dawes thekson se ata po përdorin softuerin e tyre origjinal për të riimagjinuar në mënyra unike përmbajtjen ekzistuese të krijuar nga njeriu; ata nuk po përdorin modele gjeneruese të AI-së [inteligjenca artificiale], siç është GPT-4 e OpenAI-së, për të gjeneruar përmbajtje alternative.

Megjithatë, përdorimi gjithnjë e më i përhapur i modeleve gjeneruese të AI-së, shton pyetje të tjera në lidhje me vërtetësinë. Është shkruar shumë për mënyrën sesi modelet e mëdha mund të gjenerojnë jo të vërteta dhe të “halucinojnë” faktet. Kjo paraqet një pengesë të madhe nëse një përdorues dëshiron të gjenerojë një përmbledhje ligjore. Por, mund të jetë një veçori shtesë në krijimin e përmbajtjes imagjinare.

Për të hetuar se sa mirë është kjo, Nina Beguš, një studiuese në Universitetin e Kalifornisë, porositi 250 shkrimtarë njerëzorë në vitin 2019 dhe 80 modele gjeneruese të AI-së vitin e kaluar, për të shkruar tregime të shkurtra bazuar në replikat identike. Sfida ishte të riimagjinohej miti i Pigmalionit, në të cilin një njeri krijon një njeri artificial dhe bie në dashuri me të.

Beguš më thotë se ajo ishte e befasuar që përmbajtja e krijuar nga makina ishte më formulare dhe më pak imagjinative në strukturë, por gjithashtu më inteligjente. Në vend që të përforconin disa stereotipa shoqërorë, modelet dukej se i sfidonin ato. Në tregimet e tyre, për shembull, më shumë nga krijuesit ishin gra dhe më shumë nga marrëdhëniet ishin të të njëjtës gjini.

Ajo dyshon se këto rezultate pasqyrojnë mënyrën në të cilën modelet janë akorduar mirë nga programuesit njerëzorë, megjithëse është e vështirë ta dimë me siguri, sepse modelet janë të padepërtueshme. Por, ajo sugjeron se ne kemi arritur një “kufi të ri” në shkrim, ku përmbajtjet e krijuara nga njeriu dhe ato jonjerëzore në fakt janë shkrirë.

Kjo ngre shqetësime se si kompanitë dominuese të AI-së në ShBA po kodifikojnë vlerat e këtij kufiri të ri, i cili mund të mos përputhet me shoqëritë e tjera. “A do të marrin këdo nën kontroll këto modele dhe kultura hegjemonike?” – pyet ajo.

Nëse makinat përmirësojnë apo degradojnë vërtetësinë dhe cilat vlera njerëzore ato reflektojnë në mënyrë kritike, kjo varet nga mënyra se si ato janë projektuar, trajnuar dhe përdorur. Bëjmë mirë nëse i kushtojmë më shumë vëmendje. /Telegrafi/

Exit mobile version