MPB: Ndalohen pesë shoferë për drejtim të pakujdesshëm në Maqedoni

Ministria e Punëve të Brendshme, (MPB) njoftoi se dje janë privuar nga liria pesë shoferë për drejtim të pakujdesshëm të automjetit, dy prej tyre kanë drejtuar pa patentë shoferi, ndërsa dy të tjerë me ndalim aktiv për drejtim të automjetit.
“Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë territorin e shtetit, nëpunësit policorë kanë privuar nga liria pesë vozitës për drejtim të pakujdesshëm të automjetit. Prej tyre, dy (në Kumanovë dhe në Dibër) kanë drejtuar automjet pa patentë shoferi, një shofer në autostradën “Miqësia” ka drejtuar automjetin me shpejtësi më të madhe nga e lejuara, ndërsa dy të tjerë (në Kërçovë dhe në Çashkë) kanë drejtuar automjet me ndalim aktiv për drejtim. Pas dokumentimit të plotë të rasteve do të parashtrohen kallëzime penale përkatëse”, njoftuan nga MPB.
MPB apelon te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat dhe rregulloret, të mos drejtojnë automjet pa patentë shoferi, gjatë masës së ndalimit apo nën ndikimin e alkoolit, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë.





















































