Të hënën, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura, të shoqëruara me kthjellime të herëpashershme, kryesisht në pjesën e parë të ditës.

Reshjet e shiut do të nisin që në orët e para të 24-orëshit dhe do të vijojnë deri në orët e mëngjesit me intensitet të ulët. Gjatë ditës, reshjet do të mbeten të pranishme kryesisht në zonat malore të veriut, po ashtu me intensitet të ulët, ndërsa në mbrëmje pritet riaktivizim i tyre në pjesën më të madhe të territorit, me intensitet të ulët deri mesatar.


Përgjatë vijës bregdetare dhe në Ultësirën Perëndimore, reshjet do të jenë herë pas here në formën e shtrëngatave afatshkurtra dhe të izoluara, të shoqëruara me shkarkesa elektrike.

Në zonën e Alpeve, si dhe në verilindje, lindje dhe juglindje, në lartësitë mbi 800–900 metra priten reshje dëbore me intensitet të ulët deri mesatar. Ndërsa në relievet e larta malore mbi 1800 metra, reshjet do të jenë në formën e stuhive të dëborës.

Era do të fryjë nga juglindja në jugperëndim me shpejtësi mesatare rreth 9 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore mund të arrijë deri në 19 m/s.

Deti do të jetë i trazuar, me valëzim të forcës 4–5 ballë. /Telegrafi/